Një ditë pasi shkëmbyen akuza ndaj njëra-tjetrës, përfaqësuesit e LDK-së e Vetëvendosjes janë takuar për të diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi për të ndërtuar institucionet e vendit. Në mëngjesin e sotëm janë takuar nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri dhe kandidati për kryeministër i VV-së Albin Kurti, për të diskutuar rreth harmonizimit të programeve të dy partive dhe mundësinë e arritjes së një koalicioni.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i LDK-së, një herësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen, derisa ka përjashtuar mundësinë e çfarëdo koalicioni me PDK-në.
Por, Mustafa nuk ka përmendur më dosjet e dërguara në prokurori nga Lëvizja Vetëvendosje për qeverisjen e tij sa ishte në krye të Prishtinës.
Kreu i LDK-së tha se ata do të bëjnë përpjekje maksimale që të themelohen institucionet e Kosovës, pasi vendi ka nevojë për institucione të rregullta.
“Me PDK-në jemi deklaruar qartë se nuk do ta përkrahim asnjë koalicion ku është PDK-ja për arsyet që kemi dhënë publikisht deri me tani. Me Vetëvendosjen jemi të hapur të bashkëpunojmë, jemi të haur që të shohim anën programore se sa mundemi të përshtatim si program të përbashkët në interes të qytetarëve të Kosovës. Unë mund t’iu them se sot ka pasur një takim mes nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri dhe Albin Kurtit, në mënyrë që të shihet mundësia e bashkëpunimit”, tha Mustafa.
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri për takimin me Kurtin tha se ishte në vazhdën e takimeve të nisura nga kryeministri Mustafa. Ai tha se në këtë takim është diskutuar harmonizimi i plan-programeve mes dy partive, në mënyrë që të shihet mundësia e arritjes së një koalicioni për bashkëqeverisje.
“Është në vazhdën e takimeve realisht, sepse kryetari e ka zhvilluar takimin e parë dhe ne sot kemi diskutuar modalitetet dhe temat që Hoti si shef i grupit parlamentar dhe udhëheqës i ekipit të ekspertëve do t’i diskutojë me VV-në. Natyrisht, se ne përfaqësohemi atje me koalicion. Do të jetë formati një plus dy praktikisht, do të përfshihen ekspertë të LDK-së AKR-së dhe Alternativës, sipas nevojës në mënyrë që të shohim politikat sektoriale të përafrimit, sepse ne përfaqësojmë dy ideologji të ndryshme”, theksoi Haziri.
Por, Haziri nuk ka qenë i qartë nëse do t’i kërkojnë sqarim Vetëvendosjes për dosjet e dërguara në prokurori për qeverisjen e Isa Mustafës sa ishte kryetar i Prishtinës. Megjithatë, ai theksoi se kur të vijnë në këtë nivel të diskutimeve, atëherë do të sqarohen të gjitha çështjet, por pa përmendur dosjet.
“Ne jemi duke punuar në tema që mund të përafrohen, temat dhe çështjet që kanë rëndësi të veçantë natyrisht që ne i bisedojmë brenda dhe bisedat e brendshme janë të brendshme dhe i trajtojmë si të tilla kur të vijë koha do të jeni dëshmitar të të gjitha çështjeve që janë diskutuar dhe që janë çështje të tretmanit tonë. Natyrisht që janë shumë çështje që do të sqarohen deri në pikën e fundit dhe ky është proces veç sa kemi filluar”, ka thënë Haziri.
Ndryshe, dje u shkëmbyen akuza të ashpra ndërmjet Vetëvendosjes e LDK-së. Zyrtarët e kësaj të fundit i kërkuan VV-së sqarim për dosjet, akuzat, kërcënimet, sulmet fizike që i janë bërë kryeministrit Mustafa, para se të kërkojnë bashkëpunim. /kp