Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka numëruar dështimet e koalicioni aktual, për të cilin tha se dikur rrihte gjoks se do të merr vendime të mëdha e tani po e kolapson Kosovën.
Këto kritika Mustafa i ka bërë në një postim në faqen e tij në Facebook, ku mes tjerash ka kujtuar faktin se po mbushen tri javë me shkolla e fakultete te mbyllura, e partnerët e koalicionit vazhdojnë të bëjnë pazare.
“Koalicioni, që rrihte gjoks se do të merr vendime të mëdha, po e kolapson Kosovën. Po mbushen tre javë me shkolla e fakultete te mbyllura, e këta vazhdojnë të bëjnë pazare. Mijëra pacient presin për t’u operuar, ndërkaq kirurgët vazhdojnë grevën. Të pakënaqur me paga shprehen edhe gazetarët e RTK-së, doganierët, infermierët, punonjësit e shërbimit korrektues…”, ka thënë ai.
Sipas kreut të LDK-së, tani PSD-ja e Shpend Ahmetit po e shantazhon Qeverinë me Ligjin për paga, Ligjin për dialogun, shkarkime e ngarkime… ashtu siç e shantazhonte dikur Lista Serbe.
“Po hyjmë në muajin e tretë, që katër komuna në veri nuk e pranojnë sovranitetin shtetëror; Ky koalicion dështoi në liberalizimin e vizave, në anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dështoi me kontratën e Kosovës së Re, sepse u tërhoq financuesi kryesor – Banka Botërore, po e shkatërron Telekomin me punësime partiake sikurse edhe ndërmarrjet e tjera publike;”, ka shkruar Mustafa.
Ai shtoi se ky është koalicioni me Qeverinë e cila 1/3 e ministrave i ka me aktakuza me mbi 80 zëvendësministra.
Sipas Mustafës, ky koalicion ia humbi Kosovës 13 njohje, kurse korrupsioni edhe sipas matjeve ndërkombëtare është në rritje.
Kreu i LDK-së konsideron se veprimet e koalicionit aktual qeverisë kanë bërë që edhe marrëdhëniet me ShBA dhe BE të jenë përkeqësuar.
“E gjithë kjo nuk habitë. Janë këta të njëjtit që për dy vite e gjysmë e kallën Kosovën, erdhën në pushtet me dhunë; kundërshtuan Marrëveshjen për demarkacionin deri sa erdhën në pushtet; janë të njëjtit që organizuan anulimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk arritën, në dhjetor të vitit 2017 dhe që nuk mërziteshin as për BE-në e as për ShBA-të”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se Kosova nuk duhet t’ia besoj edhe më tutje këtij koalicioni qeverisjen e vendit, nuk duhet t’ia besoj dialogun për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë si dhe nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit. “Qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën”, ka thënë Mustafa.