Aktuale

Mustafa në Bruksel do të kërkojë liberalizim me kusht për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, ku do prezantojë kërkesën e tij të re në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Mustafa, do të kërkojë që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të Demarkacionit, dhe nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbushë këtë kriter, asaj t’i merret sërish liberalizimi dhe t’i kthehet regjimi i vizave.

Kryeministri Mustafa ka deklaruar së fundmi se këtë çështje e ka diskutuar me Përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ku sipas tij, ministri gjerman ka premtuar se kërkesa do të merret parasysh.

Mirëpo, njohësit e integrimeve evropiane dhe ata të zhvillimeve politike konsiderojnë se një kërkesë e tillë nga ana e Kosovë është e vonuar.Ata thonë se edhe në rast se një kërkese e tillë pranohet, ajo mund të vonojë shumë derisa të miratohet nga Brukseli.Besa Shahini, njohëse e integrimeve evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se ka raste në të kaluarën kur Komisionit Evropian i janë drejtuar kërkesa që jo domosdoshmërish kanë qenë relevante për proceset integruese, dhe në disa raste, BE-ja ka pranuar t’i heq disa nga kriteret e përcaktuara.Ajo ka përmendur si shembull rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës, kur në vitin 2011, BE-ja kishte kërkuar që ta ndryshonte mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Megjithatë, në rastin e Kosovës Shahini thotë se ideja e kryeministrit Mustafa, në këtë moment, vështirë se mund të has në mirëkuptim, pasi që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare e kanë vendosur gjithë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Nëse kryeministri kërkon një gjë të tillë kjo është e mirë, por kjo nuk do të thotë që Komisioni Evropian do të tërhiqet prej një kërkese edhe nëse nuk është kërkesë relevante për procesin e liberalizmit të vizave, siç nuk është ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”.“Edhe në këtë rast ata do të merrnin shumë kohë derisa të tërhiqeshin nga kërkesa e tyre, që do të thotë se prapë se prapë kanë për të kaluar shumë vite”, tha Shahini.Kurse, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se marrë parasysh qëndrimin e deritashëm të BE-së, nuk beson se kjo çështje do të gjejë kompromis.

Ai pohon po ashtu se në ketë drejtim varet shumë edhe nga vullneti i Gjermanisë brenda BE-së, si shteti më me ndikim.“Kryeministri Isa Mustafa është dashur ta kërkojë një gjë të tillë kohë më parë, e jo tash kur po e sheh se e ka të pamundur të sigurojë votat për kalimin e demarkacionit.

Ai dhe partneri i tij i koalicionit, Kadri Veseli, e kanë përgjegjësinë që ta kalojnë këtë marrëveshje”.“Gjatë gjithë kohës Mustafa ka zgjedhur qasje përjashtuese, e jo gjithëpërfshirëse. Kokëfortësia e tij ka bërë që çështja të bllokohet dhe vetëm tash, kur është bërë vonë, t’i bie ndërmend që të kërkojë zgjidhje tjetër”, tha Mushkolaj.Çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, shihet si pengesa kryesore për procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës, por Besa Shahini mendon se edhe nëse përmbushen kriteret e fundit në këtë proces, ku bëjnë pjesë kriteri për ratifikimin e Demarkacionit dhe ai për luftimin e krimit dhe korrupsionit, prapë liberalizimi, sipas saj, do të jetë problem.

“Nga ana e BE-se, duket se nuk ka disponim për liberalizimin e vizave për Kosovën edhe nëse kalon demarkimi i kufirit me Malin e Zi. Ka shtete anëtaret që janë duke kaluar në zgjedhje.

Ato e shohin Kosovën si rrezik migrimi ,edhe nuk ka shumë disponim në shtetet e rëndësishme anëtare si Gjermania, Franca, Suedia, Belgjika, që Kosovës t’i lejohet liberalizimi i vizave shpejt”, tha Shahini.Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do ta paraqes kërkesën e tij në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai kishte paralajmëruar që këtë muaj ta procedojë për ratifikim në Kuvend, Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por në mungesë të votave, tani është vënë në kërkim të një zgjidhjeje alternative.Marrëveshja aktuale, nuk po mbështetet jo vetëm nga partitë opozitare, të cilat po kërkojnë rinegociim me Malin e Zi, por as nga një numër i deputetëve të partive në pushtet.