Aktuale

Mustafa merr letër mirënjohjeje nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, pranoi një letër mirënjohjeje nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, për fillimin e procesit të zbatimit të Rregullores për Ofrimin e Shërbimeve në Gjuhën e Shenjave në Republikën e Kosovës.

Në një njoftim thuhet se sipas drejtuesve të shoqatës, institucionet e vendit kanë zbatuar me përpikëri politikën e mundësive të barabarta, duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e kualitetit të jetës së të gjithë qytetarëve të shurdhër. Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, po ashtu, ka theksuar se ky vendim e ka pozicionuar Republikën e Kosovës në një ndër vendet e para në Evropën Juglindore që ka marrë këtë hap, duke e quajtur shembull pozitiv për vendet e rajonit dhe më tej.

“Tani një qytetar i shurdhër në Republikën e Kosovës nuk është i izoluar, por gëzon absolutisht mundësinë e barabartë të komunikimit (në gjuhën e shenjave) përmes interpretëve të gjuhës së shenjave në të gjitha institucionet publike të vendit”, thuhet në letrën e drejtorit ekzekutiv të Shoqatës, Enver Kurtalani./KosovaPress/