Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të hënën në takim ministrin e Sigurisë Sociale, Bashkëpunimit Zhvillimor dhe Çështjeve Humanitare si dhe Sportit të Luksemburgut, Romain Schneider.
Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e kryeministrit, theksohet se kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim të mëtejmë ekonomik, avancim të rrugës evropiane dhe fuqizim të shtetit.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral me Luksemburgun, duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e madhe të Luksemburgut për Kosovën, transmeton KosovaPress.
Ministri nga Luksemburgu, Romain Schneider, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Luksemburgut për bashkëpunim me Kosovën dhe për të ofruar ndihmën e mëtejme në zhvillimin e Kosovës./KosovaPress/