Aktuale

Mustafa: LDK dhe degët e saj përkrahin demarkacionin

Është mbledhur sot Këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për të diskutuar për zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat sipas afatit duhet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Po ashtu kjo parti ka votuar pro demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në mbmledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, tha se duhet filluar me përgatitjet sa më të shpejta për zgjedhjet lokale, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të rregullta dhe të mbahen mbi bazën e procedurës që i përcakton Komisioni Qendror Zgjedhor, të mos ketë asnjë lëshim në zgjedhje, të krijohen kushte që sa më shumë që qytetarë e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Mustafa vlerësoi se komunat e udhëhequra nga LDK-ja, kanë treguar rezultate të mira gjatë këtij mandati.

 

“Vlerësoj që edhe Qeveria e Kosovës edhe komunat, të cilat drejtohen nga kryetarët që kanë qenë kandidat të LDK-së, sikurse edhe komunat në tërësi, gjatë këtij mandati kanë treguar rezultate shumë të mira qeverisëse. Unë mund t’ju siguroj se ne nga programi qeverisës i Kosovës, i Qeverisë së Republikës së Kosovës, kemi realizuar 90 përqind të premtimeve që kemi bërë me këtë program për qytetarët e Republikës së Kosovës”, vlerësoi ai.

Mustafa po ashtu gjatë mbledhjes së Këshillit qendror, tha se janë arritur objektivat themelore që LDK-ja i ka pasur të përcaktuara në fushën e zhvillimit ekonomik, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në fushën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, në arsim dhe shëndetësi, që kanë qenë pikat kryesore dhe prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

“Janë arritur rezultate shumë të rëndësishme në konsolidimin e pushtetit lokal dhe në zhvillimin e pushtetit lokal. Ne jemi të interesuar që të gjitha këto rezultate t’i thellojmë edhe më tutje, sepse nga të gjitha këto përfitojnë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe po ashtu jemi të interesuar që mandatet që deputetët, kryetarët e komunave, këshilltarë të kuvendeve komunal i kanë marrë nga qytetarët t’i realizojnë sipas afatit të marrur nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nuk vlerësojmë dhe nuk konsiderojmë që duhet ta bëjmë asnjë ndryshim, sepse ne kemi përgjegjësinë me qeverisë vendin dhe këtë përgjegjësi duhet ta realizojmë në të gjitha nivelet”, tha ai.

Kurse pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, e cila zgjati rreth tre orë, Mustafa tha para mediave se LDK-ja me degët e saj e përkrahin plotësisht liberalizmin e vizave dhe demarkacionin.

 

“Si LDK ne kemi pas qëndrimin e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përkrahje të plotë të demarkacionit me Malin e zi dhe liberalizimin e vizave. Kemi pas poashtu edhe qëndrimet e degëve të LDK-së, që e përkrahin liberalizimin dhe demarkacionin. Sot edhe njëherë kërkohet konfirmimi i këtij qëndrimi në Këshillin e përgjithshëm, dhe Këshilli i përgjithshëm me shumicën absolute të votave, ka votuar për liberalizmin e vizave dhe demarkacion me Malin e zi”, tha Mustafa.

Sa për deputetët që kanë mendime të ndryshme nga vendimet e marrë në Këshillin e  LDK-së, Mustafa tha se ata duhet ta respektojnë partinë që i ka sjellë në Kuvend dhe qëndrimin e  kësaj partie, raporton KosovaPress.