Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka thënë të shtunën se procedimi i demarkacionit në Kuvend do të bëhet në momentin kur të jenë të sigurt se ai do të kalojë.
Ai këto komente i bëri me rastin e nisjes së punimeve në ndërtimin e rrugës Dragash-Shishtavec.
Duke folur për çështjen e demarkacionit dhe procedimit të kësaj çështjeje në kuvend, Mustafa tha se kjo do të ndodhë kur të jetë e sigurt se demarkacioni do të kalojë.
“Po ne tash po bisedojmë për këtë çështje jo vetëm me koalicionin, por edhe me subjektet tjera. Të shohim si janë gjasat e prezencës së tyre në kuvend dhe votimit. Ne do ta procedojmë në kuvend në momentin që e kemi të sigurt se do ta kapërcejmë. Për ne është e rëndësishme që të bëhet ratifikimi, që të liberalizohen vizat për qytetarët,” tha kryeministri Mustafa.