Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ritheksoi se marrëveshja për rrëzimin e murit, është e mirë dhe në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.
Mustafa para kabinetit qeveritar theksoi se ka pasur takime intensive me përfaqësuesit e komunës së Mitrovicës Veriore, kryetarin e komunës si dhe përfaqësuesit politik të serbëve, për të gjetur zgjidhje për çështjen e murit në Mitrovicë.
“Është arritur një marrëveshje që konsideroj se është një marrëveshje shumë e mirë, ligjore, është zgjidhur një problem në mënyrën me të mirë në saje të mirëkuptimit dhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vet komuna dhe organet komunale. MMPH-ja gjatë tërë kohës kanë marr të gjitha masat ligjore dhe kanë respektuar procedurat prej vërejtjeve që ka dhënë inspekcioni i MMPH-së deri në momentin e fundit që është nënshkruar marrëveshja”, tha Mustafa.
Kreu i ekzekutivit tha se edhe komuna e Mitrovicës e ka kryer punën në përputhshmëri me marrëveshjen e arritur.
Në lidhje me murin e ndërtuar në veri të Mitrovicës ka folur edhe ministri i Mjedisit Ferat Shala, i cili tha se marrëveshja është legale dhe është bërë me pajtimin e institucioneve dhe deri më tani është zbatuar plotësisht.
“Ajo çka është për mua shumë e rëndësishme dhe konsideroj që ne sot kemi zbatuar ligjin në përpikmëri, kemi zbatuar detyrat kushtetuese, kemi realizuar dh arritur që edhe pjesa e asambleistëve të veriut të pajtohen plotësisht me këtë marrëveshje, për herë të parë kemi një pajim të partive politike pa dallim prej nga vijnë. Dhe për herë të parë kemi një projekt në veri që i kalon të gjitha procedurat legale juridike nga niveli lokal në niveli qendror”, ka thënë Shala.
Shala theksoi se marrëveshja është plotësisht legale, sepse është arritur mes palëve të institucioneve pavarësisht se ka tendenca tjera.
Ai ka siguruar qytetarët se nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve.
“Në këtë pjesë që së fundi është bërë debat, jo është muri, jo nuk është muri, pra nuk ka mur, në atë shesh nuk ka muri, ka vazo lule në dy nivele, i pari me 40 centimetra dhe i dyti me 70 centimetra, ku do të jenë të hapur dhe të mbushura me lule, dhe asnjë lloj muri, asnjë lloj simbolike….ju garantoj se nuk kemi nevojë për asnjë lloj shqetësimi që do të ketë mure tjera, pengesa tjera as në lëvizje e asnjë lloj tjetër”, shtoi Shala.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka marr vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Për shënimin e këtij përvjetori Qeveria ka ndarë 70 mijë euro ndërsa kryetar i Këshillit Organizativ është emëruar ministri i Kulturës Kujtim Shala.
Po ashtu, në është miratuar edhe platforma vjetore e politikës së inteligjencës dhe sigurisë për vitin 2017 si dhe një sërë propozim-vendimesh dhe projektligjesh.
Qeveria po ashtu ka miratuar edhe 3 marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me Qeverinë e Francës, Qeverinë e Hungarisë, Qeverinë e Austrisë, si dhe ka miratuar Garancinë Shtetërore me BERZH-in për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro./KosovaPress/