Policia e Kosovës sot po shënon 17 vjetorin e themelimit. Për nder të këtij përvjetori në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë po mbahet një ceremoni zyrtare ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zyrtarë të lartë të Policisë.
Me këtë rast kryeministri tha se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë.
“Ne mburremi me ju dhe do ta keni një përkrahje të vazhdueshme. E di që se keni pas lehtë sepse kohët e fundit jeni përballë me sfida ku e keni mbrojtë vendin dhe popullin e Kosovës por këto i keni bërë me profesionalizëm dhe mbi bazën e Kushtetutës”, tha Mustafa.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni tha se sot kanë shumë arsye për të qenë krenarë sepse Kosova ka policë me integritet dhe të përkushtuar për shtetin.
“Atdheun e vet që nuk mungon vullneti për t’u përballur edhe me sfidat më makabre në një shtet demokratik. Ju keni dëshmuar që jeni mbrojtës të ligjeve”, tha ministri Hyseni.
Ai me këtë rast ka uruar edhe përfaqësuesen e Kosovës në futboll për lojën që kanë treguar mbrëmë gjatë ndeshjes me Finlandën.
Ndërsa drejtori i Policisë Shpend Maxhuni tha se entuziazmi i treguar i djemve dhe vajzave kanë bërë që të krijohen themele të forta të Policisë së Kosovës para 17 viteve.
“Ishim me fat që kemi profesionistë ndërkombëtarë që na ndihmuan në konsolidimin e Policisë. Sukseset e Policisë krahasohen me suksese të Policive të vendeve shumë të zhvilluara botërore”, tha Maxhuni.
Për nder të 17 vjetorit të themelimit të Policisë u ndanë medalje për policët e dalluar./