Aktuale

Mustafa: Demarkacioni shkon në Kuvend kur t’i bëjmë votat

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se janë duke biseduar me partnerët e koalicionit qeverisës dhe në momentin që sigurohen se i kanë votat, do ta procedojnë në Kuvend për ratifikim marrëveshjen për demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi.

Kreu i ekzekutivit theksoi se edhe në Bruksel i është bërë e qartë se ka mbetur vetëm ky kriter pa u plotësuar në mënyrë që të ndodh liberalizimi i vizave edhe për qytetarët e Kosovës.

 

“Po ne tash po bisedojmë me partnerë të koalicionit jo vetëm me PDK-në por edhe me subjektet tjera, duhet të takohemi edhe me Listën Serbe dhe të shohim se si janë gjasat të prezencës së tyre në Kuvend dhe të votimit. Do të thotë ne do të procedojmë në Kuvend në momentin që e kemi të sigurt që do ta kapërcejmë sepse natyrisht që nuk ka asnjë arsye që të shkojmë në Kuvend dhe të përsërisim shkuarjen në Kuvend. Për ne është me rëndësi të madhe ta ratifikohet dhe të bëhet liberalizimi për qytetarët”, tha Mustafa.

Mustafa ka shtuar se nëse gjejnë ndonjë mundësi që të lënë ndonjë proces të hapur dhe të rishqyrtojnë ndonjëherë më vonë atë vijë kufitare, për shkak të disa vërejtjeve që janë dhënë, porse sipas tij, aktualisht me rëndësi themelore është që të ratifikohet marrëveshja dhe të liberalizohen vizat.

Madje, Mustafa thotë se herën e fundit që ishte në Bruksel kërkoi nga krerët e Bashkimit Evropian që ta suspendojë për dy vite ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin dhe t’iu jepet liberalizimi i vizave qytetarëve, porse një gjë e tillë është e pamundur, pasi kërkon pëlqimin e secili shtet veç e veç.

 

“Diçka të tillë kemi kërkuar edhe më parë, kam kërkuar edhe në Maltë kur kam qenë në kongresin e partive popullore sepse aty është i gjithë kreu i BE-së, kam kërkuar edhe tani në Bruksel, e kemi hapur edhe me ministrin e jashtëm të Gjermanisë na ka dhënë përkrahje, por ajo është një procedurë e veçantë e cila kërkon pajtimin individual të çdo shteti të BE-së. Është një procedurë që zgjat shumë për të cilin nuk mund asnjë prej komisionerëve se mund apo s’mund sepse nuk mund të fletë në emër të shteteve individuale. Por ajo që na është thënë në Bruksel është se ne duhet të bëjmë përpjekje të ratifikojmë në Kuvend dhe ta bëjmë liberalizimin në bazë të marrëveshjes”, theksoi Mustafa.

Marrëveshja për demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi, është paralajmëruar se javën që vjen do të shkojë në Kuvend për ratifikim, derisa opozita e ka ritheksuar se do ta kundërshtoj fuqishëm këtë marrëveshje./KP