Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duke folur në debatin për demarkacionin, ka thënë se nuk është dëshmuar që asnjë pëllëmbë toke i është marrë Kosovës. Sipas tij, demarkacioni nuk do të votohet vetëm për t’u përmbushur kriteret për viza.
Në deklaratën e tij, Mustafa ka thënë se shënjimi i vijës kufitare është proces historik, pasi shndërrohet në kufi shtetëror, që forcon subjektivitetin e vendit dhe krijon kushte për marrëdhënie stabile, duke i kontribuar paqes dhe sigurisë.
Mustafa thotë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, është rast i veçantë, për shkak të mënyrë se si ishte shpallur ajo me ndihmën e komitetit ndërkombëtar, andaj sipas tij, duhet respektuar parimet, mbi të cilat është shpallur pavarësia e vendit dhe janë dhënë zotime për qytetarët dhe komitetin ndërkombëtar.
Mustafa më tej tha se kufijtë e Kosovës janë pikërisht ata që janë paraparë në Pakon e Ahtisarit.
Sipas Mustafës, me shënjimin e kufijve do të ruajnë sovranitetin dhe integritetin e fqinjëve.
I pari i vendit ka bërë të ditur se kanë biseduar me qytetarë dhe përfaqësues të agjencive të ndryshme, nga të cilët ka kërkuar që të argumentojnë nëse ndonjë pronë e tyre ka kaluar në Malin e Zi.
“Nuk guxojmë të luajmë me fatin e Kosovës për interesa politike, as të pozitës as të opozitës. Kemi plane më të mëdha, si shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura, integrimi në procese evropiane e të tjera”, tha Mustafa./KP/