Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë që të tjetërsohet asnjë pëllëmbë toke e Kosovës në procesin e demarkacionit me Malin e Zi, andaj nuk na takon që të tregojmë trimëri, për pronat të cilat nuk janë tonat.
Kështu pohoi kryeministri i vendit, Isa Mustafa në një konferencë të përbashkët me anëtarët e komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ku paraqiten fakte dhe të dhëna se nga ky proces, Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë toke, nga ajo që ka administruar sipas Kushtetutës së vitit 1974.
Mustafa tha se projektligji për demarkacionin, tashmë i është proceduar në Kuvendit dhe se në seancën e radhës do të jetë në rend dite.
“Është përgjegjësi e deputeteve të Kuvendit të Kosovës që të marrin vendim për këtë, ky vendim nuk është vendim i thjeshtë, por dëshiroj të rikujtoj se në mbledhjen e ardhshme të kuvendit do të vendoset për kufirin shtetëror që është me rëndësi jetike për ne”, tha ai.
Ndërsa, e quajti të rreme kauzën e opozitës.
“Kauza e opozitës dhe insistimi i disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor, duke përdorur lloj, lloj hartash, e duke mos marrë parasysh realitetin mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, konsideroj se është e rrejshme, krejtësisht me motive politike dhe është për përfitime politike, duke shfrytëzuar dhe terminologji nacionaliste. Jam i bindur sikur opozita që sot po kundërshton këtë marrëveshje pa asnjë argument të qëndrueshëm, po të ishte në pushtet, ajo sot do ta votonte me dy duart. Problemi është se ata nuk janë në pushtet dhe nuk dëshirojnë që Kosova t’i kapërcej këto procese, prandaj, konstatoj pa asnjë hamendje se ata që kundërshtojnë këtë vijë kufitare, e bëjnë për të mbështetur një kauzë të rrejshme të AAK-së, përkatësisht opozitës dhe kjo asnjë rast nuk ka të bëjë me humbje të territorit, është çështje jo parimore, është çështje e votës dhe mashtrimit qytetar”, tha ai.
Ai tha se manipulimi i këtij procesi për të shantazhuar dhe shpallur tradhtar, jo vetëm që politikisht është i dëmshëm, por është i rrezikshëm për ngjalljen e ciklit të dhunës, për rrezikimin e jetës së qytetarëve dhe stabilitetin e vendit. Ndërsa, kërkoi nga organet e rendit, policia, prokuroria dhe organet e gjyqësisë, që për çdo etiketim, për çdo kërcenim të ndërmarrin të gjitha veprimet, për të parandaluar efektet negative që mund t’i kenë për vendin.
Mustafa shtoi se ekspertet nuk mund ta ndërrojnë gjendjen faktike edhe në rast se i shpallim tradhtarë të gjithë banoret e Kosovës.
“Këtu s’ka ballafaqim por vetëm shprehje të përgjegjësisë. Ne nuk hyjmë tash me zhvillu politika nacionaliste dhe patriotizëm dhe me shpall tradhtar se gjithë ditën ne çdo qytetar 1 milion e 800 mijë kosovarë mund t’i shpallim tradhtar, por Mali i Zi nuk na jep asnjë metër katror të asaj që ka në posedim të komunave dhe territorit të vet. Ne mundemi me u ba kerrsh mes vete, por Mali i Zi nuk nin për atë punë, as ne s’ia japim asnjë metër katror prej komunës së Pejës, prej 603 km2”, tha ai.
Sa i përket gjendjes së sigurisë në vend, pasi që opozita po paralajmëron eskalim të situatës, ai tha se sjelljet e tilla të opozitës me kërcenim për përdorje të gjitha mjeteve, janë të papranueshme. Sipas Mustafës, askush s’mund t’i terrorizojë dhe kërcënojë institucionet e vendit.
Kryetari i komisionit shtetëror, Murat Meha tha se ky komision ka bërë punë profesionale. Meha paraqiti hartat e Kosovës që nga viti 1974 deri në ditët e sotme, për të cilat tha se janë në përputhshmëri të plotë.
“Ne këtë detyrë me kënaqësi dhe përkushtim dhe përgjegjësi të madhe e kemi bërë brenda tri viteve të shkuara, jo duke mbledhur harta rrugëve dhe kiosqeve, por duke mbledhur dokumentacionin zyrtar, i cili dokumentacion ofron të dhënat mbi administrimit, sovranitetin dhe përkufizimin e shtetit tonë.. Qëllimi ka qenë që të shihet se në vitin 1985-86, materialet janë punuar. Te Haxhajt e shohim se Qakorri nuk është brenda, për të cilin gjithmonë flitet se duhet të jetë brenda”, tha ai.
Ndërsa, Enver Hoxhaj, ministër i punëve të jashtme tha se nga ky proces Kosova nuk humb asnjë metër të territorit të saj dhe se nuk ka asnjë dyshim për këtë.
Hoxhaj shtoi se përmbyllja e shënimit të pikës kufitare me Malin e Zi, është një akt i kompletimit të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës, andaj, sipas tij, s’ka kthim mbrapa.
“Jemi në fundin e këtij procesi dhe në pikëpamjen time nuk ka kthim mbrapa, dhe duhet të sillemi me një proces të tillë, si një shtet serioz dhe si një partner serioz”, tha ai.
Ndryshe, Murat Meha theksoi se të dhënat për komunën e Pejës nuk kanë ndryshuar as për një metër katror. /KP/