Ekonomi

Mustafa: Me buxhetin prej 2 miliardë synojmë rritjen e investimeve kapitale

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se si qeveri ka arritur që Kosovës në vitin 2017, t’i ofrojë buxhet që siguron zhvillim dhe reflekton programin e koalicionit qeveritar për zhvillimin e vendit, rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Mustafa tha se këtë vit pret që rritja ekonomike të jetë 4.1 për qind që sipas tij  është mbi rritjen ekonomike në vendet në regjion dhe BE.

Mustafa shtoi se indikatorët flasin për normën e rënies së normës së papunësisë.

Sipas tij, ky buxhet është refleksion i reformave, i përmirësimit të ambientit të bërit biznes.

Kryeministri theksoi se përmes buxhetit që për herë të parë ka arritur vlerën prej 2 miliardë euro, qeveria synon ta rris investimin në fushën kapitale.

“Ky buxhet do të përcillet me efekte pozitive të MSA-së në buxhet”, tha Mustafa./KosovaPress/