Qeveria e Kosovës ka formuar sot këshillin për organizimin e ceremonisë mortore për vdekjen e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, i cili ndërroi jetë sot në Turqi pas një sëmundje të rëndë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, vdekjen e Rexhepit e ka quajtur humbje të madhe për Kosovën.
“Kosova sot ka humbur një personalitet, ka humbur një njeri të devotshëm, një njeri të mirë të lirisë dhe pavarësisë, një pjesëmarrës të luftës çlirimtare të Kosovës. Bajram Rexhepi do të mbetet në historinë me të re të Kosovës si kryeministër i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës duke kontribuar në avancimin e agjendës shtet-ndërtuese”, tha Mustafa.
Kreu i qeverisë tha se është vështirë të përmblidhet me pak fjalë veprimtaria dhe personaliteti i ish-kryeministrit Rexhepi, të cilin e ka quajtur njeri të matur dhe politikan të fjalës.
“Është vështirë që me pak fjalë të përshkruhet veprimtaria dhe përshtypjet për Bajram Rexhepin. Ai na ka lënë gjithë neve përshtypje të thella gjatë aktivitetit politik, si njeri i matur, politikan i fjalës dhe i pranuar për të gjithë. Por mund të them që shoqëria jonë do të jenë mirënjohës Bajram Rexhepit për kontributin e dhënë për Kosovën dhe gjithë atë që ai ka punuar edhe para luftës edhe gjatë luftës. Andaj ndarja nga jeta e Bajram Rexhepit është humbje e madhe për familjen, miqtë, bashkëveprimtarët, e veçmas për Kosovën”, tha Mustafa.
Në krye të këtij këshilli është Hajredin Kuçi, ndërsa anëtarë do të jenë ministrja në detyrë e Kulturës Vlora Dumoshi, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, ai i FSK-së Haki Demolli, ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Bajrami, Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, një anëtar i familjes dhe Protokolli i Shtetit.
Ndryshe, Bajram Rexhepi, u lind më 3 qershor 1954 në Mitrovicë. Ai diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1979 dhe studimet pas-universitare i përfundoi në Zagreb në vitin 1985.
Punoi për vite me radhë si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990. Gjatë luftës më 1999, Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 2002 ishte zgjedhur kryeministër i parë i institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës. Rexhepi ka qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme. Së fundi, Rexhepi kishte lënë politikën dhe iu kthye profesionit si kirurg në spitalin e Mitrovicës.
Rexhepi para disa muajsh kishte pësuar sulm në tru dhe pas një operacioni të rëndë në QKUK, për trajtim të mëtutjeshëm ishte dërguar në Turqi, ku për disa muaj qëndroi në komë. /KP