Aktuale

Murati: “Trepça” u shpëtua, radha është te zhvillimi ekonomik

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka thënë se ishte e domosdoshme të miratohej Ligji për ta shpëtuar “Trepçën” nga falimentimi. Sipas tij, pas miratimit të ligjit është radha e përdorimit të këtij burimi për zhvillimin e vendit, shkruan Gazeta Express.

“Ligji për “Trepçën” i miratuar sot herët nga Kuvendi i Kosovës ishte një domosdoshmëri për ta shpëtuar “Trepçën” nga likuidimi dhe për t’i krijuar kushtet për ta shndërruar atë nga barrë ekonomike dhe politike në një burim zhvillimi për vendin”, ka thënë kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB) Valon Murati.

Ai gjithashtu ka përgëzuar kolegun partiak deputetin e LB-së, Raif Qela, për punën që ka bërë gjatë procesit së trajtimit të ligjit.

“Krenar për punën që ka bërë deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela, si në fushën e presionit publik që ligji të vijë sa më parë në kuvend ashtu edhe me punën që ka bërë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik gjatë trajtimit dhe amendamentimit të ligjit”, ka shtuar Murati.