Aktuale

Murati kërkon përfaqësim të diasporës në Kuvend

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka thënë se përfaqësimi i diasporës në Kuvendin e Kosovës do ta forconte përfshirjen, por edhe lidhjet e kësaj pjese të shoqërisë me vendlindjen.

Ndonëse ka pranuar se tash për tash, për shkak të ndryshimeve në Kushtetutë, kjo është vështirë të realizohet, ai e ka ftuar Kuvendin të fillojë qysh tash të merret seriozisht me këtë çështje.

Murati i ka ftuar bashkatdhetarët t’i përgjigjen procesit të regjistrimit të diasporës.

Ai ka thënë për “Epoka e re” se është planifikuar që regjistrimi fizik të përfundojë këtë vit, ndërsa ai online të vazhdojë edhe më tutje.

“Ne po besojmë se deri në fund të vitit numri i të regjistruarve do të arrijë në 400 mijë bashkatdhetarë”, ka theksuar Murati.

Ai e ka mohuar mundësinë e fuzionimit të kësaj ministrie në ndonjë dikaster tjetër qeveritar.

“Zyrtarisht nuk ka asnjë zhvillim rreth këtij procesi. Madje ka elemente në drejtim të kundërt”, ka thënë Murati.