Aktuale

Mungon në seancë, gjyqtari thotë se do ta sjellë me detyrim të akuzuarin për terrorizëm

Pasi mungoi dy herë në gjykimin për terrorizëm, Nexhat Ademi do të sillet në mënyrë të detyrueshme në gjykatë.
Për arsye se i akuzuari Nexhat Ademi nuk u paraqit në seancë, gjykimi për terrorizëm u shty për të dytën herë radhazi.

Gjyqtari i rastit, Vesel Ismajli, njoftoi palët se nuk ka dëshmi se i akuzuari e ka pranuar ftesën, ndërsa tha se kanë provuar ta kontaktojnë përmes një numri të telefonit që është gjetur në shkresat e lëndës, por në të nuk është përgjigjur askush.

Duke qenë se kjo është hera e dytë që Nexhat Ademi nuk po paraqitet në gjykatë, gjyqtari Ismajli paralajmëroi se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me forcë.

Pasi njoftoi palët për mungesën e të akuzuarit, gjyqtarit Vesel Ismajli nuk i mbeti gjë tjetër përveç se ta shtyjë seancën.

Ademi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës në janar të vitit 2014 ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll e nga ku më pas ka udhëtuar për në qytetin Gaziantep të Turqisë që ndodhet afër kufirit me Sirinë.

Sipas aktakuzës, qëllimi i Ademit ishte që të kalojë në Siri dhe të bëhet pjesë e organizatës Al-Nusra dhe të angazhohet për krijimin e Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut.

Nexhat Ademi, sipas prokurorisë, qëndroi në Siri për një javë në territorin që e kontrollonte Al-Nusra dhe pastaj u kthye në Kosovë.

Përpos këtij udhëtimi, Prokuroria Speciale pretendon se Ademi përsëri më 4 mars 2016 provoi të shkojë në Siri por pasi arriti në Aeroportin e Stambollit u ndalua nga autoritetet turke dhe më pas u dëbua për në Kosovë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.