Aktuale

Mungesa e mundësive, ndër faktorët që shtyjnë kosovarët në luftërat e huaja

Zyra e Kryeministrit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë lansuar sot raportin “Të Kuptuarit e Faktorëve Shtytës dhe Tërhjekës: Intervistat me luftëtarët e huaj të kthyer dhe familjet e tyre.

Me këtë rast, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Ideja se islami është i rrezikuar në Kosovë është false, është ide e ardhur prej atyre që e kanë definuar islamin për të kryer agjendat e tyre.

“Mendoj se në Kosovë të gjithë e kemi të qartë që nuk është bërë luftë me e mbrojtë islamin, pasi që islami në Kosovë është tradicional në Kosovë, ka bashkëjetuar me fetë tjera. Përhapja e ideologjisë islame nuk është bërë në shërbim të fesë por është agjendë e rrezikshme, e rrezikon Kosovën dhe Kosova me të drejtë duhet të dijë ti thotë jo.

Kryeministri tha se këtë ‘jo’ duhet të thonë të gjithë, përfshirë edhe institucionet edhe organet e ligjit.

“Mendoj se jo të gjithë kanë qenë në nivel të detyrës në të kaluarën. Sot vetëdija në Kosovë është e madhe, por është e rrezikshme një gjuhë propagandistike e disa të ashtuquajtur imamë që rrezikojnë me i bë pjesë të luftërave terroriste të rinjtë.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, tha se është i kënaqur me punën e të gjithëve që janë përfshirë në këtë raport. Ky raport sipas tij, ofron disa të dhëna kryesore që i shtyjnë individët të marrin pjesë në luftëra të huaja.

“Ky hulumtim tregon që duhet të vazhdojmë të bëjmë punën. Duhet te vazhdojmë të investojmë në te rinjtë që të mos ju bashkohen këtyre luftërave.

Alain Lapon, menaxher i projektit, bëri të ditur se janë 253 meshkuj, 55 femra dhe 27 fëmijë, që ju kanë bashkuar luftërave të huaja. Ai tregoi edhe faktorët kryesorë të shtytjes dhe tërhjekjes, që përfshijnë sfidat socio ekonomike.

“Faktorët nxitës, pikë së pari është mungesa e mundësive që i ka shtyrë të dalin prej Kosovës, mungesa e shkollimit dhe problemi i identitetit”, tha ai.

Ai tregoj edhe procesin se si kosovarët kanë shkuar në Siri.

“Procesi i rekrutimit ka qenë i njëjtë për të gjithë. Udhëtonin në Stamboll, pastaj vazhdonin deri në kufirin me Sirinë dhe pastaj ndërlidhshin me grupin e shqiptarëve që kanë qenë atje dhe pastaj janë trajnuar”, tha ai. /kp