Aktuale

Mungesa e gjinekologëve, rritet vdekshmëria e foshnjave në Maqedoni

Elizabeta Ajdin nga lagja Shuto Orizar e Shkupit në janar pret fëmijën e saj të parë. Por, ajo nuk ka bërë kontroll gjinekologjik për më shumë se një muaj pasi në komunën ku jeton nuk ka gjinekolog. Për të ndjekur zhvillimin e foshnjës, ajo udhëton në një komunë tjetër, edhe pse për momentin ajo dhe bashkëshorti i saj janë të papunë.

“Patjetër të udhëtoj deri në Çair pasi këtu nuk kemi gjinekolog amë. Tani, duhet të shkoj në stacionin e autobusit, me autobus të endem deri në Çair dhe të kthehem. Patjetër e kam të shkoj, po të kishim këtu gjinekolog amë do të ishte më lehtë”, thotë Elizabeta Ajdin, banore e Shuto Orizarës.

Ministri i Shëndetësisë Nikola Todorov, këtë vit paralajmëroi bashkëfinancimin e specializimeve private që të sigurohen 47 gjinekologë të rinjë. Nga Shoqata e gjinekologëve privat thonë se masa është e mirë, por e vonuar.

“Ata gjinekologë do të jenë gjinekologë-specialistë pas pesë viteve. Çfarë duhet të ndodhë në ato pesë vite? Do të thotë nuk kemi gjinekolog të ri, ndërsa shumë prej nesh në atë periudhë do të largohen në pension. Çdo gjë ka kapacitet. Fizikisht nuk mundemi që në mënyrë cilësore të kontrollojmë më shumë gra”, deklaroi Dushko Filipovski nga Shoqata e Gjinekologëve Privat.

Përveç Shuto Orizarë, pa gjinekolog amë janë më shumë se gjysma e komunave në Maqedoni. Disa gra madje udhëtojnë deri në 30 kilometra për tek ordinanca më e afërt gjinekologjike, ndërsa disa prej tyre asnjëherë në jetë nuk kanë kryer asnjë kontroll. Mungesa e gjinekologëve amë dhe kontrollet e parregullta janë një prej shkaqeve të vdekshmërisë të foshnjave që në Maqedoni është tre herë më e lartë se mesatarja evropiane. Sipas analizës nga Enti për mbrojtjen e nënave dhe fëmijëve, vdekshmëri më të lartë të foshnjave në vend ka te popullata rome./Alsat/