Oda e Afarizmit të Kosovës, ka mbajtur tryezën e radhës: “Sektori minerar në Kosovë – Sukses apo Dështim?!”.
Drejtori ekzekutiv në OAK, Ismet Mulaj, tha se janë bërë përpjekje të vazhdueshme, por jo të mjaftueshme që ky sektor të jetë strategjik, sektor që krijon vende të punës dhe që zhvillon ekonominë e Kosovës.
Ai tha se 18 vjet pas luftës a është tregim suksesi apo dështimi mbetet të shihet në fund të kësaj tryeze.
Sipas tij Oda është e përkushtuar që këtij sektori t’i qëndrojë afër. Ibrahim Rexhepi, këshilltar politik i ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, Ibrahim Rexhepi tha se sektori minerar në Kosovë është sektori kyç për zhvillimin e Kosovës.
“Është sektor strategjik, është sektor që mund të ketë ndikim edhe në zhvillimin e veprimtarive të tjera”, tha Rexhepi.
Ai tha se në këtë sektor qëndrojnë bashkë edhe suksesi edhe dështimi pasi që sipas tij nëse flitet deri tani nuk është në nivelin siç është dashur të jetë.
“Tek minierat e qymyrit sot e kemi një gjendje jo të mirë, është rreziku i një krize energjetike të mungesës së qymyrit. Kjo jep të kuptohet se nuk ka konsistencë në parashikimin e rrezikut që mund të jetë. Trepça nuk paraqet as 20 përqind të potencialit që ka. Megjithatë në ministri janë ndërtuar disa vija që duhet të përqendrohemi që të filloj ky sektor të jep efektet që vërtet i ka”, tha Rexhepi.
Kryetari i Bordit të KPMM, Musa Shabani tha se Kosova vërtetë është me një gjeologji që ka mundësuar edhe krijimin e burimeve të ndryshme minerare.
Ai tregoi problemet për licencat për minerale energjetike dhe metalore.
“Problemi i parë është se zonat me interes të veçantë të shpallur nga Qeveria kanë mbetur zona të bllokuara dhe licencat e Trepçës janë pezulluar. Këto zona kanë mbetur me një status të pezulluar. Për minerale energjetike deri sot nuk ka asnjë licencë përveç licencave të KEK-ut edhe pse ka pasur kërkesa për licenca”, tha ai.
Ai tha se sektori i mineraleve në Kosovë sot është me një stad me të avancuar dhe më të zhvilluar përkundër vështirësive me të cilat përballen./KosovaPress/