Deputeti i PDK-së Shaip Muja ka dal kundër matjes së territorit nga komisioni i themeluar nga Qeveria e Kosovës.
Madje, Muja tha se kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi sa më parë, pasi nuk po sillet në mënyrë serioze me temat e rëndësishme, siç është çështja e demarkacionit me Malin e Zi.
Në pikën jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit, sipas Mujës, kjo Qeveri e ka terrorizuar që dy vite e gjysmë me personalitete jo serioze rreth Demarkacionit.
Muja theksoi se i ashtuquajturi akademik Hivzi Islami me botimet e veta të cilat ai i ka të dokumentuara në kërkimet gjeografike në vitin 2008 ku i jep orientime ‘ekspertit të bisedimeve me Ahtisarin Lutfi Haziri’, në ato kërkime gjeografike numër 14 dhe në monografinë e Akademisë jep shpjegime të qarta se ku janë vijat kufitare.
“Nga ne deputetët kjo Qeveri po mundohet të na fut në lajthitje dhe të na vejë fajtore para publikut të Kosovës. Dhe Qeveria e Kosovës është fajtor, por edhe ne nuk jemi pa faj sepse nuk i kemi përfunduar gjitha ato mundësi të cilat ne mund t’i shterim brenda Kuvendit të dalim unik me propozime konkrete. Ka dy vjet e gjysmë që terrorizohet publiku me personalitete jo serioze të kësaj qeverie e cila duhet të shkoj sa më shpejt në shtëpi”, tha Muja.
Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri akuzoi institucionet e Kosovës se përmes themelimit të ‘Zajednicës’ po duan ta konsolidojnë kontrollin faktik të Serbisë mbi 25 përqind të territorit të Kosovës.
Sipas Ymerit, para dhjetë viteve këta politikanë ia dhanë Serbisë dhjetë komuna, 45 zona eksterritoriale, veto në Kuvend atyre deputetëve që ua rezervuan ulëset, e bënë shuarjen e TMK-së, betonimin e sundimit ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, me idenë se kur Serbia e merr paketën e Ahtisarit ajo do ta njeh pavarësinë e Kosovës.
Mirëpo, sipas tij, Serbia i mori të gjitha elementet përbërëse të paketës, ndërsa paketën si ambalazh dhe pavarësinë nuk na e pranoi.
“Tash Serbia, komunat e Ahtisarit po i do të bashkuara në ‘Zajednicë’ dhe prapë kemi një Qeveri që po ia pranon këtë kërkesë Serbisë për ta konsoliduar kështu edhe me shumë kontrollin faktik të mbi 25 përqind të territorit të Kosovës dhe për ta centralizuar decentralizimin etnik që kishte ndodhur atëherë…Mitrovica që u nda në dy komuna sipas Ahtisarit sot po muros ndarjen përmes mureve dhe konstrukteve tjera të betonit dhe konstrukteve tjera të betonit”, theksoi Ymeri.
Në pikën jashtë rendit të ditës, pati edhe kundërshtime mes grupeve parlamentare dhe akuza në drejtim të kryetarit të Kuvendit për mos respektim të rregullores së punës së Kuvendit./KP