Në kuadër të serisë së debateve për qeverisjen lokale në Kosovë, sot para studentëve te Kolegjit AAB mbajti ligjeratë speciale kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, i uroi mirëseardhje kryetarit Muhaxherit ku tha se studentët do të kenë rastin që të marrin një pasqyrë më të saktë se si është dhe se si funksionon qeverisja në Komunën e Pejës.
“Përveç pjesës teorike që ju e mësoni nga literatura, kjo do të jetë një mundësi shumë e madhe, shumë e mirë që të dëgjoni drejtpërdrejtë edhe ekspertizat e akterëve kryesor të pushteti vendor, ngase siç e dini, jeta zhvillohet në komuna, në qytete dhe në fshatrat e Kosovës”, tha rektori Tafa.
Ndërkaq kryetari Muhaxheri, në ligjëraten e tij foli për projektet dhe mundësitë që qyteti i Pejës i ka të shndërrohet në një destinacion turizmi për vendorët, por edhe për turistët nga vende të ndryshme.
“Këto projekte të vogla qe i kemi ndërmarrë kanë dhënë mundësinë që Peja me qenë destinacioni më i preferuar i turistëve që vijnë në Republikën e Kosovës. Për ne si komunë, prioritet është turizmi. Prioritet i zhvillimeve ka qenë qendra sportive rekreative, për me ndërruar atë projektin e mëhershëm që ka qenë i viteve të 80-ta. Kemi pas planifikim që t’i joshim turistët që të vijnë e të qëndrojnë gjysmë dite, pastaj të kenë mundësi të qëndrojnë më gjatë në komunën e Pejës”, tha Muhaxheri.
Edhe studentët e Kolegjit AAB patën mundësi që të parashtrojnë pyetje të ndryshme, ku njëra prej tyre ishte edhe për demarkacionin.
Kryetari tha që demarkacioni ka përfunduar në vitin 1930, dhe nuk mund të ndryshojë më.
“Në vitet 30 ka përfunduar shënimi i kufirit mes komunës së Pejës dhe Plavës, komunës Pejës edhe Berane dhe komunës së Pejës dhe Rozhajës. Nuk mundet kurrsesi të ndërrohet në vitin 2015, 2016 dhe në vitin 2017. Dhe këto tri vjet që i kanë shkuar kot shtetit të Kosovës dhe juve si rini mos me ju mundësu me lëvizë lirshëm, janë qëndrim politik e njerëzve të papërgjegjshëm që mundohen të sillen si patriotë me qëndrim të asaj që po humbim kufi, por në realitet nuk humbim as edhe një centimetër”, shtoi kryetari Muhaxheri.
Në hapësirat e Kolegjit AAB edhe në javët në vazhdim do të ketë ligjërata nga kryetarë të komunave të ndryshme të Kosovës./GazetaKNN/