Aktuale

MPJ njofton për procesin e aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare

Ministria e Punëve të Jashtme informon opinionin se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizata rajonale, kontinentale dhe globale, gjegjësisht në OKB dhe agjencitë e ndërlidhura me të, është dhe mbetet synim prioritar i Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës deri më tash është anëtarësuar në mbi gjashtëdhjetë Organizata rajonale, kontinetale dhe globale dhe secili veprim i aplikimit, procedurave apo procesit të anëtarësimit bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë me aleatët strategjik dhe historikë të Kosovës, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova është aleate e perëndimit dhe kjo aleancë është e përjetshme dhe e pakthyeshme.

Shtyrja pragmatike e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Interpol dhe UNESCO është e mbështetur në koordinimin e plotë dhe të ngushtë me SHBA-të dhe vendet e tjera të Kuintit.

Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme vepron në mënyrë koordinuar, të matur, të përgjegjshme dhe në mbrojtje të interesit nacional të Republikës së Kosovës.

Çdo pretendim tjetër për krijimin e narracionit negativ tek publiku është i paarsyeshëm dhe joprofesional.

Ministria e Jashtme vlerëson se këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shtetet partnere dhe aleate, garantimit të sigurisë si dhe promovimit të paqes në rajon”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.