Aktuale

Moti për këtë javë

Fushat anticiklonike mbi Rusi që po sjellin mot më stabil mbi vendin tonë, kanë filluar të dobësohen, ndërsa nga Atlantiku përgjatë Mesdheut ditëve të fundjavës një turbullirë do të shtrihet mbi rajonin tonë që do të sjellë ndryshim të motit ku priten edhe reshje të dobëta shiu.

Ditëve të ardhshme do të vazhoj të mbajë mot kryesisht me diell, por që në viset e ulëta dhe lugina do të ketë mjegull gjatë mëngjesit, e cila vende-vende do të mbetet edhe gjatë ditës.  Nga e premta vransirat do të shtohen, e në mbrëmje dhe të shtunën kohëpaskohe priten edhe riga lokale shiu.

Temperaturat do të mbeten mbi vlera mesatare, me minimale që do të luhaten nga +1C deri +5C, e ato maksimale nga 10C deri në 12C.  Në vise ku mjegulla mund të mbetet gjatë ditës maksimalet do të jenë më të ulëta dhe do të luhaten nga 6C deri në 8C.  Era do të fryejë nga jugu-juglindja 2-6m/s.
Në fillim të javës së ardhshme nga zonat polare pritet një depërtimi i masave të ftohta ajrore, të cilat do të sjelin mot të ftohtë dhe rënie të temperaturave edhe nën 0C, ndërsa nga e hëna në mbrëmje pritet që rigat e shiut të shndërrohen edhe në reshje të dobëta bore.