Moti i keq ka rënduar gjendjen e familjeve që pësuan nga përmbytjet e 6 gushtit në fshatin Inxhikovë. Shumë shtëpi ende nuk janë riparuar fare pasi pronarët e tyre thonë se nuk kanë marr kompensimet nga qeveria. Banorët shprehen të shqetësuar se si do ta kalojnë dimrin në shtëpitë e tyre të dëmtuara nëse institucionet nuk marrin masa urgjente për t’iu dalë në ndihmë.
“Asgjë, asgjë nuk kemi marr, asnjë denarë. Ishim në të gjitha bankat edhe në ministri, asgjë nuk ka për ne. Po e shihni edhe vet, gjithçka na u shkatërrua. Tani u bë shumë ftohtë, shporeti nuk punon. Po ngrohemi me dru, shporetin e kemi pastruar dhe sërish e kemi vendosur, nuk ka asgjë, shikoni edhe vet”.
“Krevatet e shkatërruara kanë mbet brenda, disa i kemi nxjerr jashtë, krejt ashtu kanë mbet. Kanë ardhur disa njerëz por asgjë nuk kemi, veç të Kryqit të Kuq i kemi marr. Shumë kallaballëk jemi, dy të sëmurë i kam, nuk kam ku ti mbaj po çka të bëjmë”.
Ndërsa ata që kishin arritur të rinovonin shtëpinë thonë se këtë e kanë bërë me para hua dhe nuk besojnë se me kompensimin e dëmeve do të arrijnë ti kthejnë të gjitha borxhet.
“Akoma nuk na kanë paguar, morëm borxhe nëpër miq dhe rinovuam, e kishim patjetër për shkak të fëmijëve që nisën në shkollë. Për shkak të fëmijëve patjetër të rinovonim. Kemi marr avansin prej 500 euro, të hollat nga Kryqi i Kuq por këto parat tjera akoma nuk janë lëshuar”.
Përveç kompensimit të dëmeve materiale inxhikovasit kërkojnë edhe kompenzimin e dëmeve bujqësore.
“Hiç kurrgjë nuk kemi pas deri sot, askush nuk ka ardhura prej atëherë. Kanë qenë këtu komisioni por nuk e kanë fotografuar tokën..Këtu kam pas 7 mijë metra tokë të mbjellë, vetëm sa desha të nis me shitjen e produkteve, kur jemi zgjuar në mëngjes nuk kishte asgjë”.
“8 mijë metra tokë të mbjellë kam dëm, kisha të mbjellë misër, shalqi, patate, të gjitha u shkatërruan. Shtyllat prej metali dhe najloni u thyen të gjitha. Ato afër 40 mijë euro janë dëme. Prej Kryqit të Kuq që i kemi marr 13 mijë denarë edhe tash para dy dite i kemi marr 450 euro avans, tjera kurrgjë nuk ka”.
Nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve mbeten në qëndrimin se do të kompensohen të gjitha familjet që kanë pësuar dëme nga përmbytjet. Ndërkohë ankesat e personave të pakënaqur nga vlerësimi do të shqyrtohen sërish./Alsat-M/