Aktuale

Moti ditëve në vijim: Kthehen erërat dhe shiu në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ndryshuar situata meteorologjike.

Thuhet se fushat me presion të lartë të cilat ishin prezente për gati një javë janë duke u dobësuar për t’u zëvendësuar me masa të ajrit me presion të ulët atmosferik.

Në këto kushte sonte gjatë natës vende-vende do të ketë mundësi për riga të dobëta shiu dhe erëra nga jugperëndimi dhe juglindja me shpejtësi 1-6m/s.

Të premten, në orët e vona të ditës erërat do të fuqizohen duke e mbajtur të njëjtin drejtim, shpejtësia e së cilës do të arrijë mbi 13m/s.

Të shtunën dhe të dielën, do të ketë kushte më të favorshme për reshje shiu , kurse në viset malore reshjet e shiut do të shoqërohen edhe me fjolla bore.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8 dhe 12 gradë Celsius.