Aktuale

Morën vetëm 40 euro rrogë, punëtorët e pastrimit në Mitrovicë paralajmërojnë grevë

E bëjnë punën që shumica e njerëzve në Kosovë më së paku e dëshirojnë, por as ky fakt nuk është i mjaftueshëm që ata të marrin shpërblimin për punën e bërë.

Fjala është për punëtorët e kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Uniteti’ në Mitrovicë, e cila merren me pastrimin e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

Disa punëtorë të kësaj kompanie që punojnë në Mitrovicë janë ankuar në portalin Veriu.info, se sot u janë dhënë vetëm nga 40 euro rrogë, të cilat nuk janë të mjaftueshme për asgjë, e lërë më për të blerë gjëra ushqimore për festën e Bajramit.

“Sot është nata e Bajramit dhe na i kanë dhanë veç ka 40 euro. S’kena ku me shku në shpi me 40, çka me ble ma përpara, bukë a sene për Bajram. Për shumicën prej neve s’ka me pas Bajram nesër. S’po na e merr mendja me shku në shpi, çka me ju qu fmive”, thonë disa punëtorë të zhgënjyer të ‘Unitetit’, të cilët ishin ulur në qendër të Mitrovicës, të pavendosur për të shkuar sonte në shtëpi.

Ata thonë se kompania u ka borxh punëtorëve prej 3-9 rroga.

“Do rojtarë të kompanisë i kanë refuzu paret, nuk kanë pranu me i marrë 40 euro në shenjë proteste. Pas Bajramit kena me hi tanë në grevë, se kështu nuk shkon”, thotë njëri prej punëtorëve të ‘Unitetit’.

Veriu.info ka kontaktuar me Skender Tahirajn, drejtor i kompanisë rajonale ‘Uniteti’, i cili ka konfirmuar se punëtorëve u janë dhënë vetëm nga 40 euro, por ka thënë se për shkak të krizës kompania nuk ka pasur më shumë të holla.