Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, në një konferencë për media të martën, ku kanë folur për pengesat që sipas tyre KQZ po i bën mërgatës për të votuar, u kanë bërë thirrjeve bashkatdhetarëve që më 11 qershor të vijnë personalisht për të votuar në Kosovë.
Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj tha se koalicioni i dështimit dhe krimit, po e pengojnë mërgatën, nga e cila s’mund të marrin asnjë votë.
“Ky koalicion i krimit dhe ai i dështimit, e di që nuk kanë asnjë mundësi të marrin asnjë votë të vetme nga mërgata. Për shkak se mërgata është ajo, e cila dëshiron ta bëjë ndryshimin në Kosovë. Përkundër pengesave të jashtëzakonshme, siç e keni parë duke raportuar nga secili qytetar që ndodhet jashtë vendit, është fantastike çka ka ndodhur këto ditë. Shtatë herë më shumë se në zgjedhjet e 2014 kemi aplikime nga mërgata. Pra, shtatë-fishim të interesimit të pjesëmarrjes nga mërgata. Mbi 13 mijë aplikues për dallim prej 1800 sa kishin votuar në zgjedhjet e 2014. Ky është interesi i jashtëzakonshëm. Ky tregon për një vullnet të jashtëzakonshëm, kjo është frika që i ka hyrë në palcë koalicionit të krimit dhe koalicionit të dështimit nga ky vullnet i mërgatës, i cili patjetër që do të jetë vullnet për ndryshim, vullnet për t’i ndëshkuar dhe koalicionin e krimit dhe koalicionin e dështimit ”, tha ai.
Molliqaj tha se bashkatdhetarët tashmë janë mobilizuar për të qenë të pranishëm në Kosovë më 11 qershor dhe se do të jenë ata që do t’i japin goditjen e fundit koalicionit të krimit dhe dështimit.
“Vetëm nga shteti i Zvicrës i kemi më shumë se dy aeroplanë të siguruar, të cilët do të jenë në mënyrë të organizuar drejt Kosovës, për zgjedhjet dhe për votim. Kemi dhjetëra autobus nga shtetet tjera, në veçanti nga Gjermania, të cilët janë duke u organizuar dhe në mënyrë të organizuar për pjesëmarrje për votim në Kosovë. Por, pres mobilizim të secilit në mënyrë vetanake, në mënyrë të organizuar përmes qendrave tona atje, që të jenë prezent me 11 qershor, dhe të jemi bashkë më 12 qershor, atëherë kur mërgata do të jetë momenti vendimtar dhe goditja vendimtare që do t’ia bëjnë koalicionit të krimit dhe koalicionit të dështimit”, tha Molliqaj.
Ndërkaq Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ së nga VV-ja, tha se kjo qasje e papërgjegjshme e KQZ-së ndaj votuesve të mërgatës, është vazhdimësi e qeverisjes së deritanishme, që mërgatën nuk e shohin si pjesë të Kosovës, por si problem që duhet eliminuar politikisht si shtetas, si votues dhe si vullnet politik.
“Pengimi për të votuar është krim zgjedhor. Ndërsa mohimi më brutal i së drejtës së votës, është padyshim pamundësimi për t’u regjistruar përmes pengesave teknike. Krejtësisht kujdes dhe qasje tjetër ka pasur KQZ kur bëhet fjalë për aplikacione të falsifikuara dhe fabrikuara në Serbi. Gjatë gjithë periudhës së regjistrimit të votuesve jashtë vendit, pothuajse asnjë aplikacion nuk kishte ardhur nga Serbia, ndërsa vetëm disa minuta para se të mbyllej afati në mënyrë të kontrabanduar, të dyshimtë dhe kundërligjshëm, janë sjellë në adresë të KQZ -së rreth 4 mijë aplikacione nga Serbia pa u ditur se kush i solli, nga erdhën dhe si hynë në territorin e Kosovës. Në lidhje me këtë të fundit, i bëj thirrje KQZ-së të pezullojë këto aplikacione të ardhura nga Serbia kundërligjshëm dhe të kërkojë nga Policia e Kosovës dhe prokuroria që të bëjë hetim të veçantë, për mënyrën e ardhjes së këtyre aplikacioneve, kush i solli dhe kështu t’i refuzojë si të paligjshme”, tha Rrustemi./kp