Aktuale

Molliqaj: Klani “Pronto” po synon shkatërrimin e opozitës

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se klani ‘Pronto’ po synon të shkatërrojë opozitën.

Në një konferencë për media, Molliqaj ka thënë se aksioni i Policisë për arrestimin e gjashtë aktivistëve të tyre, është operacion i montuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Ai thotë se kundër Vetëvendosjes është duke u organizuar një betejë speciale dhe se po bëhet përpjekje nga ana e pushtetit për ta kontrolluar dhe luftuar në mënyrë të organizuar VV-në.

“Klani ‘Pronto’ ka për qëllim me vazhdu jetën e vet, me kapjen e institucioneve të Republikës në njërën anë dhe mbi të gjitha dobësimin dhe shkatërrimin eventual të të vetmes opozitë demokratike në Kosovë. Kjo që po ngjan në Kosovë, s’është asgjë e re që s’ka ngjarë në vendet tjera. Pra në momentin kur kemi politikanë të cilët interesin personal e kanë mbi të gjitha interesat tjera, sigurisht që ata që i rrezikojnë ata e që në këtë rast janë qytetarët e republikës dhe VV do të jenë pala e cila do të jenë të synuar për tu rrezikuar dhe për tu luftuar siç po ndodh dhe me VV-në“, tha Molliqaj.

Molliqaj thotë se në këtë rast kanë të bëjnë me krim të organizuar nga gjyqësia, prokuroria, klani “Pronto” dhe media. Gjatë konferencës, ai paraqiti disa fotografive, përmes së cilës, sipas tij dëshmohen lidhjet mes drejtorit për antiterrorizëm në Polici me PDK-në dhe RTK-në, të cilët sipas tij po e sulmojnë VV-në.

“Ne besojmë se kjo luftë, është luftë speciale kundër VV-së. Ne besojmë që kemi të bëjmë me një krim të organizuar dhe specializuar, i cili lidh sektorët e rëndësishëm, në Kosovë dhe ata janë Policia e Kosovës, Prokuroria, mediat dhe partia në pushtet apo klani ‘Pronto’. Me lejoni që tash përmes projektorit të paraqesim disa fotografi të cilat e kanë shpërfaqur të vërtetën e organizimit, planifikimit të krejt këtij sulmi mediatik të VV-së….Ky është personi i quajtur Luan Keka, i cili është në Drejtorinë e Terrorizmit në Policinë e Kosovës, i cili person vjen nga Gjilani dhe i cili ka qenë udhëheqës i operacionit kundër 6 aktivistëve të VV-së dhe i cili ka bërë paraqitjen e vetme në media dhe ka akuzuar aktivistët e VV për sulm terrorist. Ky person pas publikimit të kësaj fotoje asnjëherë më nuk është duk në publik, ani pse është udhëheqësi i krejt këtij aksioni ndaj VV. Luan Keka p ërveç lidhjes së ngushtë që ka me Zenun Pajazitin, i njëjti është bashkëshort i Miranda Keka, kandidate për deputete të PDK-së në zgjedhje të fundit. Në këtë foto shihet dhe Azdren Agushi dhe mbi të gjitha Ridvan Berisha RTK. Në njërin prej emisioneve të RTK-së para arrestimit të aktivistëve tonë, saktësisht një ditë përpara, Ridvan Berisha është zëdhënësi kryesor se si VV është nxitësja dhe organizuesja e sulmeve terroriste”, tha Molliqaj.

Molliqaj madje thotë se Vetëvendosje është akuzuar për veprime terroriste pa pasur dëshmi, por me të vetmen arsye që agjencionet ndërkombëtare dhe vendore, të kenë qasje në të gjitha komunikimet e VV-së, pasi që me këtë akuzë ata kanë siguruar qasje në të gjitha e-mailat, FB dhe telefonatat e kësaj partie.

E lidhur me ri-procedimin e Demarkacionit në Kuvend, Molliqaj ka pohuar se për ata si Vetëvendosje, Demarkacioni ka vdekur si projekt me këtë formë dhe përmbajtje./KP