Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka ngritur publikisht disa pyetje në drejtim të drejtorit të Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, dhe atij të kompanisë telefonike VALA, Agron Mustafës.
“Pyetje publike për drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin si dhe drejtorin e kompanisë VALA, Agron Mustafën: 1. A është e vërtetë që djali juaj (i Shpend Maxhunit) është punësuar në kompaninë VALA në 3 muajt e fundit? 2. A është e vërtetë që Policia e Kosovës i ofron mbrojtje personale 24 orë Agron Mustafës, si këmbim për favorin e mësipërm. Mbrojtje të tillë nga Policia kanë jashtëzakonisht pak personalitete. Pse pikërisht Agron Mustafa?”, ka pyetur Molliqaj.
Megjithatë, Molliqaj thotë se edhepse nuk ka asnjë dilemë që Policia, kompania VALA dhe ndërmarrjet e institucionet e tjera publike po përdoren për favore personale të klanit Pronto, situata është shumë shqetësuese nëse policia e shtetit është shndërruar në polici personale.
“Kjo situatë mund të ndryshohet vetëm me shpërbërjen e klanit Pronto. Kjo do të ndodhë shumë shpejt nga pushteti i ri në Kosovë”, ka shkruan Molliqaj në facebook./KosovaPress/