Aktuale

Mogherini: Është koha e fundit ta ratifikoni demarkacionin

Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e bëri të qartë të shtunën se është koha e fundit për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që të zhbllokohet liberalizimi i vizave. Mogherini një konferencë për medie me kryeministrin Isa Mustafa përsëriti se janë dy kushte për ta pasur Kosova liberalizimin e vizave. Kushti i parë sipas saj, është lufta kundër korrupsionit, që konsiderohet se ka shënuar progres dhe kushti i dytë ratifikimi i demarkacionit. Mogherini tha se Bashkimi Evropian e mbështetet shtegtimin e Kosovës drejt BE-së dhe për këtë kjo ka investuar në vazhdimësi në Kosovë. Ajo tha se nëse Kuvendi e procedon dhe e voton demarkacionin, BE është në gjendje që shumë shpejt me rezultate konkrete të ndodhë liberalizimi.

 

“Janë dy kushte të cilat duhet të plotësohen për para se të bëhet liberalizmi i vizave… Dhe dy kushtet janë, i pari është se, Kosova duhet ta përmirësojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe këtu është arrit progres siç e përmendi kryeministri, porse është edhe vlerësimi ynë për këtë. Kushti i dytë është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Mirëpo, këtu fatkeqësisht që nga vizita ime e fundit e vitit të kaluar nuk ka pasur progres dhe dëshiroj t’ju them shumë qartë dhe nuk kam nevojë me bërtit, sepse mediat prezentë këtu do ta përçojnë këtë mesazh. Është koha e fundit që të ecim përpara, është koha që të votoni ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, andaj kjo do të zhbllokojë liberalizmin e vizave për Kosovën”, theksoi Mogherini.

Ajo shtoi se për këtë të fundit duhet pasur konsensus ndërpartiak në Kuvendin e Kosovës. Mogherini tha se populli i Kosovë e meriton liberalizmin e vizave , ajo çka nuk e meritojnë, sipas saj,  është mungesa e këtij konsensusi politik për të çuar përpara Kosovën dhe për të pasur zhvillim ekonomik.

 

“Jam e bindur se partitë politike, liderët politik, forcat politike, grupet parlamentare do t’i mbajnë dallimet e tyre politike që janë të natyrshme, por unë këtë rajon që konsideroj si rajonin tim gjithmonë presim që këto ndarje politike të jenë shumë ta qarta dhe evidente. Por, besoj gjithashtu se partitë politike e kanë të qartë se kur të vjen çështja tek interesat e popullit për diçka që është shumë konkrete siç është liberalizmi I vizave. Partitë e kanë përgjegjësinë që t’i tejkalojnë  debatet politike dhe së bashku në mënyrë konstruktive të kërkojnë rrugën e pajtimit që të përparojë vendi”, tha Mogherini.

Mogherini, ndër të tjera, tha se Kosova ka qëndrime shumë konstruktive dhe pozitive për dialogun, të cilat ajo tha se janë parë muajve të kaluar kur pati momente të tensionimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, këto acarime, sipas saj, u menaxhuan dhe u tejkaluan.

Ajo foli edhe për vizitën në Mitrovicë, ku tha se shpreson që hapja e urës, do të ndikojë në bashkëjetesën më të mirë në mes shqiptarëve dhe serbëve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Kosova e ka ardhmërinë e saj në familjen e vendeve të Bashkimit Evropian si anëtare e BE-së.

Mustafa kërkoi nga Mogherini që ta përkrahë kthimin e listës serbe në institucionet e Kosovës, ngase sipas tij, Serbia po e pengon ardhjen e deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës dhe të ministrave në Qeverinë e Kosovës.

Ai ndërkaq shprehu gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

 

“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të vazhdojmë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe për avancimin e proceseve edhe në Ballkan dhe në Evropë. Edhe përkundër kundërshtimeve që I kemi nga opozita dhe disa kundërshtime të tjera. Mirëpo, ne nuk shohim një gatishmëri të njëjtë  nga Serbia, ku kemi pengesa që po bëhen sa i përket ardhjes së deputetëve serb në parlamentin e Kosovës dhe të ministrave në qeverinë e Kosovës. Dhe kjo po mbanë peng disa procese I fillimit të hartimit të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilin ne jemi të interesuar që në çdo moment të fillojmë”, theksoi Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi se në takimin me Mogherinin është kërkuar përkrahja e BE-së për arritjen e ratifikimit me Malin e Zi, ku për këtë, sipas tij, ka kundërshtime nga një pjesë e parlamentit, përfshirë tërë opozitën, por edhe nga mos pjesëmarrja e deputetëve të listës serbe në Kuvend.

Mustafa tha se ky mos pajtim po shkakton që qytetarët Kosovës të mbesin peng i këtij kriteri për demarkacion.

 

“Kemi shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kriter ky që ka qenë i paraparë edhe si kriter për liberalizimin e vizave së bashku me kriterin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Edhe përkundër progresit që kemi bërë te lufta kundër korrupsionit, ne do të vazhdojmë edhe më tutje që të luftojmë çdo dukuri të korrupsionit te ne, por, po ashtu kërkuam ndihmën e përfaqësues së lartë, Mogherini dhe të Komisionit Evropian në kapërcimin e gjendjes të cilën ne e kemi tani me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për shkak të kundërshtimeve të cilat i kemi nga një pjesë e parlamentit, përfshirë tërë opozitën, por edhe të mungesës së pjesëmarrjes së deputetëve të listës serbe në Kuvend. Kjo po shkakton që qytetarët tanë të mbesin peng i këtij kriteri”, tha Mustafa.

Ndryshe, Mustafa përfaqësuesen e lartë të BE-së e ka njoftuar edhe për tema të tjera me përkushtim të lartë, të cilat janë duke u implementuar, MSA-ja, agjenda e reformave evropiane, shteti ligjor, rritja ekonomike, konkurrenca tregtare, me ngritja të cilësisë së shërbimeve sociale dhe arsimit, si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. /KP/