Gjatë një aksioni anti-drogë në zhvilluar mbrëmë në Zhur të Prizrenit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës u përballën me një shpërthim eksplozivi, me ç’rast një polic mbeti i vrarë, ndërsa dy të tjerë morën plagë të rënda, sikurse edhe një fëmijë.
Zyrtari policor, Sami Thaçi humbi jetën në krye të detyrës, gjatë një bastisjeje që po bëhej në një shtëpi nga Njësia e specializuar e Antidrogës, ndërsa edhe policë të tjerë morën plagë.
Në gjendje më të rëndë shëndetësore është një polic i ri në moshë, i cili qe pranuan në Spitalin e Prizrenit, por pastaj u transferua mbrëmë për në QKUK.
“Polici 32 vjeçar ka humbur njërin sy”, kështu ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, drejtori i Klinikës Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shaqir Uka.
Doktori ka treguar se është bërë edhe ndërhyrje kirurgjike në të dy sytë, por ka theksuar se lëndimet janë tejet serioze.
“Pas ekzaminimeve në qendrën emergjente, është dashur ndërhyrje kirurgjike për policin i cili ka marrë lëndime me armë eksplozive në regjionin e Prizrenit. Lëndimet janë në regjionin e kokës, është kryer intervenimi kirurgjik në të dy sytë dhe në këto pastrimi dhe përpunimin e lagave në regjionin e fytyrës. Kanë mbetur edhe disa plagë që duhet me u trajtu e që po presim me i trajtu tash. Lëndimet janë shumë serioze, ai ka humbur njërin sy por lëndimet janë serioze edhe në syrin tjetër. Vazhdon trajtimi i mëtutjeshëm në kujdesin intensiv”, tregoi ai.
Ndërsa, gjendja shëndetësore e policit tjetër dhe fëmijës që u plagosën mbrëmë e që po trajtohen në Spitalin Rajonal të Prizrenit është stabile.
Kështu ka thënë për FaktePlus, drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj.
Ai tregoi që polici gjendet në repartin ortopedik për çka mbrëmë ka pas ndërhyrje kirurgjike, ndërsa fëmija është në repartin e syve.
“Polici tjetër që është i pranuar tek ne është në repartin e ortopedisë, mbrëmë është kryer intervenimi i kirurgjisë janë bërë përpunimi i plagëve që i ka marrë dhe gjenda është stabile dhe jemi duke u marrë me trajtimin e tij. Edhe gjendja e fëmijë është stabile, ai është në repartin e syve, tek ai nuk ka pas intervenime kirurgjike”, tregoi ai.
Mirëpo si erdhi deri te operacioni ku mbeti i vdekur polici dhe u lënduan dy të tjerë?
FaktePlus mëson se pjesëtarët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, pasi personi i dyshuar që tashmë është i arrestuar, kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.
Siç mësohet gruaja e kishte raportuar rastin në polici dhe po ashtu kishte thënë se ai kishte edhe narkotik.
Në familjen e të dyshuarit edhe më parë kishte pasur dhunë në familje, e cila kishte përfunduar me tragjedi.
Siç mëson FaktePlus, babai i të dyshuarit kishte vrarë gruan e tij (nënën e të dyshuarit), 20 vite më parë.
E për rastin e mbrëmshëm pas raportimit, policia kishte parë që bëhej fjalë për një person të dyshuar për disa vepra penale dhe kishin shkuar për ta bastisur, e pastaj kishte ndodhur shpërthimi dhe polici kishte humbur jetën.
Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë./FaktePlus