Arsim & Kulturë

Mitrovica bëhet me Akademi Kosovare për Lidership e cila kushtoi 5.3 milionë dollarë

Është përuruar në Mitrovicë objekti i Akademisë Kosovare për Lidership. Ky objekt është financuar nga Organizata Joqeveritare Amerikane, “Global Neighbors”, e cila ka siguruar shumën prej 5.3 milionë dollarësh.

Në një njoftim për media thuhet se gjatë përurimit të këtij objekti shkollor kryetari i komunës, Agim Bahtiri tha se qytetarët e Mitrovicës dhe ai personalisht ndjehen tepër të gëzuar që sot po inaugurohet solemnisht Akademia Kosovare për Lidership.

“Mirëpo, besoj se më të gëzuar janë të rinjtë e komunës tonë, pasi që ata nga dita e sotme kanë një mundësi më shumë që të bëhen pjesë e një institucioni arsimor që ofron kushte ideale për edukim dhe arsimim të gjithanshëm dhe bashkëkohor, institucion i cili do të punoj sipas rregullave dhe ligjeve kosovare sa i përket edukimit, por që sistemi i punës do të jetë amerikan, duke promovuar kështu vlerat amerikane dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis Kosovës dhe SHBA”, tha ai.

Bahtiri në vazhdim falënderoi Organizatën Joqeveritare Amerikane me renome “Global Neighbors”, e cila ka zgjedhur Mitrovicën për ta bërë me shkollë elitare, që është ndihmë e vazhdueshme nga institucionet dhe qeveria amerikane që kanë dhënë për Mitrovicën, ndihmë e cila do t’i kontribuoj shumë zhvillimit të edukimit dhe arsimit, por edhe zhvillimit ekonomik në Komunën e Mitrovicës.

“Dua që edhe sot miqtë tanë nga Amerika dhe drejtuesit e “Global Neighbors”, t’i garantoj se ne drejtuesit e komunës dhe institucionet tjera të pushtetit lokal do të jemi gjithmonë të gatshëm që të bashkëpunojmë për të realizuar programet e zhvillimit të kësaj shkolle, por edhe projektet tjera që ajo do të realizoja gjatë funksionimit të saj”, tha ndër të tjera Bahtiri.

Për rëndësinë e kësaj shkolle elitare dhe për punën që do të bëhet në të folën, Duane Early, drejtor Ekzekutiv i Global Neighbors Inc, Rodney Ëoods, kryetar i Bordit të shkollës, Nadine Hennesey, drejtoreshë e shkollës, Steve Gruber, professor i Edukimit në Cedarville University, Pajazit Hajzeri, drejtor i arsimit në Komunën e Mitrovicës e të tjerë.

Në akademinë Kosovare për Lideship, kapaciteti i së cilës është deri në 500 nxënës, mund të mësojnë nxënësit që nga klasa e parë e deri në të dymbëdhjetën. /KosovaPress/