Familjet e përmbytura në të gjithë vendin do të marrim kompensimin për dëmet që kanë pësuar.
Janë në total 2.498 familje të përmbytura në vite në 8 qarqe dhe 18 bashki për të cilat do të jepet dëmshpërblimi i plotë; përkatësisht për 594 familje në Tiranë, 513 familje në Fier, 508 në Elbasan, 498 në Durrës (këtu përfshihen edhe familjet e përmbytura së fundmi në zonën e Krujës), 92 familje në Berat, 120 familje në Lezhë, 175 familje në Vlorë dhe 7 familje në Korçë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri Edi Rama.
“Shuma që do të vihet në dispozicion, sipas të gjitha akteve të regjistruara në Ministrinë e Brendshme, bazuar në dokumentacionin e përcjellë nga njësitë vendore, do të jetë nga 6.8 milionë lekë (të vjetra) për familje deri në 110 mijë lekë, që do të thotë se ka një përshkallëzim sipas dëmeve të konstatuara dhe sipas kërkesave të bëra nga bashkitë. Dua të theksoj se, çdo rast që nuk është i përfshirë në këtë listë, është një rast që nuk është në inventarin e Ministrisë së Brendshme për arsye të vonesave, apo të mospërcaktimit sipas ligjit dhe kritereve të dëmshpërblimit nga ana e cilësdo njësi të pushtetit vendor”, – tha Rama.
“Besoj, shlyem një borxh moral dhe financiar të rëndësishëm, duke iu kthyer të gjitha familjeve të përmbytura, – shumë prej të cilave me plot të drejtë mund ta kishin humbur krejtësisht shpresën se një ditë, shteti do të kujtohej për ta, – qindarkë për qindarkë financiarisht dëmin e shkaktuar, në formën e një shpërblimi. E, pa diskutim që është mjaftueshëm për të gjithë fermerët, që në një kohë rekord të kenë zëvendësimin kokë për kokë të të gjitha lopëve të humbura për shkak të një epidemie vdekjeprurëse”.
SUBVENCIONET
Qeveria po përgatit edhe një paketë suplementare për të vazhduar procesin e transformimit të fshatit dhe të ekonomisë bujqësore përmes rritjes së kapaciteteve ujitëse dhe kulluese dhe për të stimuluar më tutje këtë ekonomi bujqësore përmes një sërë ndërhyrjesh emergjente në këtë sektor. “Janë prioritare në infrastrukturë rurale në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, që filloi me sheshet e qyteteve, filloi me akset kryesore të qyteteve, por, siç e kemi thënë qysh ditën e parë, nuk është një program për fasadë apo për makijazh, siç janë kuturisur rëndom kritikët e programit ta bëjnë, por është një program që do të shtrihet deri në fshatin më të largët, hap pas hapi”, – tha Rama.
Kontratat me OSHEE “Jemi duke studiuar dhe shumë shpejt do të bëjmë publik edhe rezultatin e përpjekjes për të vazhduar të shpërblejmë të gjithë ata, të cilët pavarësisht vështirësive, i janë bashkuar procesit historik të transformimit të sektorit energjetik, nga një sektor në prag të falimentit, që kërcënonte ta kolapsonte jo vetëm energjetikisht, por edhe financiarisht Shqipërinë, në një sektor ku po shkruhet përditë një histori suksesi dhe, siç kemi bërë disa herë në të kaluarën e afërt, do bëjmë përsëri edhe në prag të festave të fundvitit, një tjetër lehtësim të detyrimeve të tyre të prapambetura”, – deklaroi kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, “do të ketë një lehtësim të konsiderueshëm të detyrimeve të tyre të prapambetura, pasi vërejmë me kënaqësi se sjellja e konsumatorit në raport me OSHEE-në është në një përmirësim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm, dhe këta konsumatorë, që falë reformës dhe besimit se më fund, sistemi do të jetë i drejtë dhe i barabartë me të gjithë, janë bërë dhe po kontribuojnë si kontributorë të vetëdijshëm në këtë proces, meritojnë patjetër edhe mirëkuptim përmes lehtësimit të detyrimeve të tyre”.
Investimet Një tjetër sektor ku do të konkretizohen planet e qeverisë është edhe infrastruktura, shkruan Gazeta Shqiptare.
“Besoj se përpara mbylljes së vitit do të shpallim edhe programim më të madh të investimeve në infrastrukturën rrugore, arsimore dhe shëndetësore. Por këtë le t’ia lëmë momentit kur do të bëjmë shpalljen, dhe jam i bindur që përmes këtij programi të ri do të arrijmë objektivin e kapërcimit të parashikimeve të rritjes ekonomike graduale, sepse do të bëjmë një injektim shumë të konsiderueshëm financiar në ekonominë të vendit”, – deklaroi në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama.
PËRFITUESIT NË TË GJITHË VENDIN
594 FAMILJE NË TIRANË
513 FAMILJE NË FIER
508 FAMILJE NË ELBASAN
498 FAMILJE NË DURRËS DHE KRUJË
92 FAMILJE NË BERAT
120 FAMILJE NË LEZHË
175 FAMILJE NË VLORË
7 FAMILJE NË KORÇË