Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha është pritur sot në takim nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Szymon Szynkowski vel Sek, nga i cili kërkoi përkrahje për procesin integrues dhe votimin për liberalizim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Ministrja Hoxha ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara për liberalizim, duke shfaqur brengën e qytetarëve të Kosovës rreth vonesave të paarsyeshme për lëvizjen e lirë.
“Polonia ka qenë përkrahëse e vazhdueshme e Kosovës, tash kërkojmë ende përkrahje për votimin pro në Këshillin e Ministrave për liberalizim si dhe procesin e mëtejmë integrues. Ne nuk kemi alternativë tjetër, rruga jonë e vetme janë vlerat evropiane”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se Kosova me sukses po i realizon reformat dhe MSA-në.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Szymon Szynkowski vel Sek theksoi se shteti i tij edhe më tej do t’i ofroj përkrahje procesit të liberalizimit të vizave dhe nuk do të jetë pengesë për këtë proces.
Ai ofroi përkrahjen e Polonisë jo vetëm për procesin integrues dhe liberalizimin e vizave, por edhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për avancimin e rrugës integruese.
Gjatë kësaj vizite, Ministrja Hoxha zhvilloi takime edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Polonisë, me Sekretaren e Përgjithshme, Renata Szczech, nga e cila kërkoi votën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.
Edhe sekretarja e përgjithshme, Renata Szczech siguroi se Kosova ka përkrahjen e Polonisë për liberalizimin e vizave.