Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha as kësaj radhe nuk iu ka përgjigjur ftesës për një dëgjim publik para anëtarë të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrje të Agjencisë kundër Korrupsionit.
Këtë veprim të ministres e ka kritikuar kryetarja e këtij Komisioni Albulena Haxhiu e cila e ka vlerësuar si mos përgjegjësi ndaj Kuvendit për të marrë pjesë në këtë mbledhje e cila ishte e ftuar që nga 1 dhjetor.
Në dëgjimin publik i cili po mbahet në kuadër të Javës Kundërkorrupsionit deputetët Armend Zemaj, Selvije Halimi, Pal Lekaj, etj kanë thënë se Kosova që nga shpallja e pavarësisë se nuk ka bërë asgjë për ta luftuar korrupsionin.
Drejtori i Agjencisë Kundërkorrupsionit Shaip Havolli tha se agjencia aktualisht i ka 150 raste të konfliktit të interesit.
Ndërsa Betim Musliu nga Instituti për Drejtësi tha se ligjet e Kosovës janë të mjaftueshme për luftimin e korrupsionit, por ai shtoi se në gjykatat e Kosovës ka lëndë gjyqësore për korrupsion që nga viti 2002./KosovaPress/