Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë, se çështja e pronave në territorin e Kosovës “nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve që zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë”.
Ajo tha se me vendimin për kalimin në pronësi të Kosovës të pronave të paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, qeveria e Kosovës ka vepruar “njëjtë sikurse edhe të gjitha ish-republikat e ish-Federatës jugosllave”.
Deklaratat e ministres Hoxha pasuan reagimet e zyrtarëve të Qeversisë së Serbisë dhe të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që e cilësuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për pronat e paluajtshme si “të jashtëligjshëm”
“Për pronat në territorin e Republikës së Kosovës kemi pavarësi të plotë, kemi sovranitetin dhe nuk ka nevojë të bisedojmë me askënd tjetër. Është çështje që si shtet e vendosim vetë. Sikurse ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë e kanë përdorur të njëjtën praktikë”, tha ministrja Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës me një vendim të saj të para dy javëve ka vendosur që të gjithë pronën e patundshme të regjistruar në emër të RSFJ-së, Republikës së Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, ta kalojë në pronësi të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit në këtë pronësi përfshihen patundshmëritë shtetërore, administrative, ushtarake dhe të organizatave shoqëroro-politike.