Në kuadër të javës Antikorrupsion është mbajtur dëgjim publik i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, ku është diskutuar për gjendjen e korrupsionit në vendin tonë.
Me këtë rast, deputetët Albulena Haxhiu, Armend Zemaj, Selvie Halimi e Pal Lekaj kanë paraqitur disa shqetësime për sistemin gjyqësor në Kosovë dhe nivelin e lartë, siç kanë thënë ata të korrupsionit në vend.
Megjithatë, e ftuar që të marrë pjesë në këtë dëgjim publik, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha nuk ka qenë e pranishme, për çka është kritikuar nga kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu.
Ajo tha se ftesa për ministren e Drejtësisë është bërë më 1 dhjetor 2016, derisa ka shtuar se përgjigjen për mospjesëmarrje në këtë mbledhje e ka dërguar dje me arsyetimin se ka agjendë të ngjeshur me Javën Kundër korrupsion që është duke u zhvilluar në vend.
“Më duhet të them që kjo nuk qëndron për faktin që ky dëgjim publik që sot po e bëjmë është në kuadër të javës kundër korrupsionit dhe me sa e di unë nuk mund të ketë dy aktivitete në të njëjtën kohë për atë po e them që nuk qëndron dhe me këtë rast unë po shpreh shqetësimet e mia për qasjen joserioze dhe të papërgjegjshme të ministres karshi komisionit për shkak se me kushtetutën e republikës së Kosovës ministrat e kanë për obligim ti përgjigjen kuvendit dhe asnjë agjendë tjetër që mund ta ketë paraparë zonja ministre nuk është më e rëndësishëm se sa raportimi në Kuvendin e Kosovës. Në qoftë se e njëjta nuk mund ta bëjë punën siç duhet atëherë është më mirë që ta liroj këtë pozitë që e mban”, tha Haxhiu.
Kurse, kryetari i Agjencisë Kudnërkorrupsion, Shaip Havolli, tha se Agjencia po e bënë punën e saj ku i ka trajtuar deri më tani rreth 200 raste të dyshuara për korrupsion dhe 150 raste të konfliktit të interesit.
“Në fushën e hetimeve janë trajtuar diku rreth 200 raste të dyshuara për korrupsion qoftë të raportuaar dhe qoftë të iniciuara sipas detyrës zyrtare nga zyrtarët e Agjencionit Kundër korrupsion. Gjatë hetimit të këqyre rasteve në disa raste ka pas edhe elemente të veprave penale dhe janë shtruar kallëzime penale të cilat kallëzime penale janë dërguar në prokuroritë kompetente e po ashtu ka edhe raste që janë identifikuar si shkelje administrative të cilat janë iniciua për fillimin e kërkesës për procedurë disiplinore. Po ashtu ka disa raste që agjencia në mungesë të kompetencave policore i ka dorëzuar disa raste në policinë e Kosovës dhe prokuroritë themelore dhe speciale…. sa i përket konfliktit të interesit, agjencina deri më tash i ka trajtuar 150 raste të konfliktit të interesit ku 100 prej tyre janë shmangur, janë nxjerrë edhe 32 opinione dhe po ashtu presim që të penali zohen ata që nuk i kanë zbatuar ato rekomandime që kanë dalë nga antikorrupsioni”, tha ai.
Ndërsa, drejtori i Institutit i Kosovës për Drejtësi Betim Musliu, tha se sistemi i drejtësisë ka dështuar duke filluar nga UNMIK-u e pastaj EULEX-i.
Megjithatë, Musliu është shprehur se gjyqtarët dhe prokurorët vendor nuk kanë qenë të ndaluar që t’i hetojnë rastet korruptive, por shtoi se një gjë të tillë se kanë bërë as pas 10 apo 15 viteve.
Musliu tha se në Gjykatën Themelore në Prishtinë figurojnë raste të paraqitura për korrupsion që nga viti 2002 e të cilat nuk kanë përfunduar asnjë herë.
“Vullneti politik është ai që ka mungua që me e pas një sistem të pavarur gjyqësor dhe përveç ndihmës që është dhënë nga faktori ndërkombëtar nuk e kemi parë ndoshta edhe pjesën e rezultateve që është pritë prej tyre sepse edhe nga UNMIK-u e pastaj edhe nga EULEX-i kemi pritur rezultate në luftimin e korrupsionit ët nivelit të lartë, kompetencë kjo që ka qenë ekskluzive dhe që nuk është shfrytëzuar si duhet sepse kemi parë që ka pas raste, ka pas spektakle por që në fund kanë munguar vendimet përfundimtare. Pra një pjesë e faturës së dështimeve për këtë luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë ia atribuojmë UNMIK-ut dhe EULEX-it por assesi kjo nuk i ka penguar asnjë herë sistemin e drejtësisë vendore që të dëshmoj rezultat dhe kjo është një prej arsyeve që realisht janë fshehur prokurorët dhe gjykatësit vendor për të mos bërë ndjekje deh gjykim ë këtij pro fili me arsyetimin se jo me ta merren ndërkombëtarët por ën fakt asnjë pengesë nuk e kanë pasur kurrë”, tha ai.
Kurse, përfaqësuesja e Ambasadës së Amerikës në Kosovë, Jean Phillipson, tha se lufta kundër korrupsionit duhet të letë vëmendje nga e gjithë shoqëria.
Lufta kundër korrupsionit duhet ta ketë vëmendjen e institucioneve dhe të gjithë shoqërisë së Kosovës, prandaj më vie mirë që i shoh të gjithë së bashku në këtë tryezë për të diskutuar për këtë çështje. Ambasada e Amerikës është e përkushtuar për përmirësimin e sistemit të gjyqësorit dhe për një gjyqësor të pavarur. Ne po punojmë po ashtu për draft ligjin për sistemin e drejtësisë i cili do t’i mbaj prokurorët dhe gjykatësit përgjegjës për punën e tyre”, tha ajo.
Në këtë diskutim të hapur pati debate dhe deklarime të ndryshme rreth gjendjes së korrupsionit në Kosovë dhe sistemit gjyqësor.
Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin organizatat si: Grupi për Studime Juridike Politike, Instituti për Drejtësi, GAP, KDI, etj./KP