Aktuale

Ministrja Hoxha kërkon bashkëpunim rajonal për efikasitet në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha sot ka marrë pjesë në Forumin Ministror për Drejtësi të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Brdo të Sllovenisë.

Gjatë këtij Forumi u diskutua për zhvillimet e fundit në shtimin e bashkëpunimit ndërkombëtarë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, kryesisht për efikasitetin e gjyqësorit dhe mundësit për zvogëlimin e numrit të rasteve dhe kohëzgjatjen e tyre, bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile dhe penale, si dhe zhvillimi i besimit të ndërsjellë ndërmjet Eurojust dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

Siç njofton Zyra e ministres së Drejtësisë, ministrja Hoxha gjatë fjalimit të saj përmendi sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova në fushën e gjyqësorit, numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura si dhe zgjatjen e procedurave gjyqësore. Po ashtu ministrja Hoxha shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me vendet fqinje dhe vendet e BE-së dhe për të mësuar nga praktikat më të mira. Sipas ministres, përderisa Kosova synon integrimin euroatlantik, duhet të merren praktikat më të mira para se të lëvizet së bashku në familjen evropiane.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë reformat e nevojshme në mënyrë që të përgatisim rrugën tonë drejt bashkëpunimit, koordinimit dhe integrimit. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm politikisht dhe me kapacitete profesionale për të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës, drejtësisë së Kosovës dhe qytetarëve të rajonit dhe më gjerë. Qeveria e Kosovës është duke punuar vazhdimisht për të rritur besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si një nga sfida më të mëdha në Kosovë dhe rajon është prioritet për Ministrinë e Drejtësisë”, tha ministrja Hoxha, transmeton KosovaPress.

Ministrja Hoxha po qëndron në Slloveni me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë të Sllovenisë në bashkëpunim me Presidencën Sllovene.