Aktuale

Ministria e Pushtetit Lokal: S’ka zgjedhje të jashtëzakonshme në Deçan e Gjakovë

Mimoza Kusari dhe Rasim Selmanaj e kanë humbur pozitat udhëheqëse në Gjakovë e Deçan pasi kanë bërë dorëheqjen publike për t’i mbajtur pozitat e fituara në zgjedhjet nacionale.
Mirëpo, pavarësisht, se këto dy komuna do të mbesin pa Kryetar për më shumë se pesë muaj, nuk do të ketë zgjedhje të reja.

Të paktën ky është interpretimi i Ministrisë së Pushtetit Lokal, e cila ka sqaruar se për muajt e mbetur, pozitën e Kryetarit do ta ushtrojnë Nënkryetarët e Komunave.

Sipas MAPL, zgjedhjet edhe në Deçan e Gjakovë do të mbahen më 22 tetor, datë kjo e përcaktuar nga Presidenti Thaçi në konsultim me partitë politike, shkruan Express.

Sidoqoftë, MAPL, kur e ka marrë këtë vendim ka cituar një nen, në bazë të të cilit ka sqaruar se si Nënkryetarët i marrin kompetencat e kryetrarit. Sipas Ligjit për Vetqeverisje Lokale, Neni 60, paragrafi 60.3 përcakton se:

“Nënkryetari i ndihmon Kryetarit në ushtrimin e funksioneve ekzekutive të përditshme dhe vepron në emër të Kryetrarit në mungesë të tij”, thuhet në ligj.

Mirëpo, MAPL, nuk e ka sqaruar më shumë ketë nen, i cili e njeh pozitën e Kryetarit të Komunës dhe nuk flet për kohën kur Kryetari ka dhënë dorëheqje. Rrjedhimisht, Nënkryetari i Komunës s’mund t’i ndihmojë dikujt që ka dhënë dorëheqje.

Sidoqoftë, MAPL, ka dhënë arsyetime politike, por jo edhe ligjore lidhur me interpretimin e tyre.

“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtur më 11 Qershor 2017, Komuna ku kryetarët do të japin dorëheqje, organet e komunës si dhe organet në varësi të tij (Nënkryetarëve të komunave, drejtorët komunal) vazhdojnë punën deri në inaugurimin e organeve të reja pas zgjedgjeve lokale që do të mbahen më datë 22 tetor 2017”, thuhet më tej në sqarim.

Çështja e dorëheqjes dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale është sqaruar edhe mkë një vendim të Gjykatës Kushtetuese me rastin e ish-Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Qazim Qeska, i cili kishte dhënë dorëheqje. Atëkohë, Gjykata Kushtetuese kishte thënë se autoritetet komunale s’mund të ushtrojnë pozita për të cilat nuk janë zgjedhur. Rrjedhimisht, nëse mungon Kryetari duhet shkuar në zgjedhje të jashëzakonshme.

“Gjykata rikujton që e drejta e vetëqeverisjes mund të ushtrohet vetëm nga autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike…”, thuhet më tej ne aktgjykim.

Në këtë situatë, Presidenti Thaçi është duke pritur shkresa zyrtare nga KQZ dhe Ministria e Pushtetit Lokal për të vendosur pastaj për masat ligjore.

“Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, ende nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, apo KQZ për dorëheqjen e kryetarëve të komunave, të cilët kanë kandiduar dhe janë zgjedhur deputetë, pas zgjedhjeve të parakohshme të 12 qershorit 2017. Pas marrjes se njoftimit zyrtar do te veprohet konform legjislacionit ne fuqi”, thuhet në sqarimin e Presidencës.