Aktuale

Ministria e Mbrojtjes: Të angazhuar 207 forca të ushtrisë dhe një helikopter “Cougar”

Ministria e Mbrojtjes njoftoi të mërkurën se ka angazhuar në total 207 forca, një helikopter “Cougar”, ekskavatorë, varka, zjarrfikëse, gjeneratorë dhe mjete të kalueshmërisë së lartë, në përballimin e situatës se përmbytjeve, si rezultat i reshjeve të dendura që kanë përfshirë gjithë territorin e vendit.

Më poshtë vijon një informacion i Ministrisë së Mbrojtjes se për situatën në disa qarqe dhe bashki të vendit:

Në qarkun e Tiranës, në zonën e Babrusë janë të angazhuara 10 trupa, mjete dhe motorbarka shpëtimi.

Tek Pallati me Shigjeta kanë ndërhyrë dhe janë të angazhuara 10 forca, motopompa dhe mjete të tjera shpëtimi. Ndërsa në afërsi të “City Park” u angazhuan 10 forca dhe mjete zjarrfikëse. Gjithashtu janë angazhuara forca dhe mjete në afërsi të Arkivës së Sigurimeve Shoqërore në Lundër.

Ndërkohë që në qarkun e Lezhës, FA-të kanë ndërhyrë që në orët e para të mëngjesit me mbi 91 trupa ushtarake, motogjeneratorë të fuqishëm, motopompë, fadroma, ekskavator, mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mbi 500 thasë me rërë.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në lagjen Besëlidhja në Lezhë, bodrumet e pallateve ishin të mbuluara nga uji. Për këtë ndërhynë efektivat e Batalioni të Mbështetjes Rajonale, ku me anë të motopompave bënë të mundur thithjen e ujit nga bodrumet e pallateve dhe derdhjen në lumin Drin.

Në zonën e Fushë-Krujës u angazhuan dhe janë në gatishmëri 30 forca dhe mjete të kalueshmërisë së lartë si dhe motobarka shpëtimi.

Në Bashkinë Burrel  janë në gatishmëri 10 forca dhe mjete të kalueshmërisë së lartë.

Në Bashkinë Shkodër u angazhuan dhe janë në gatishmëri 36 forca, mjete të kalueshmërisë së lartë si dhe motobarka shpëtimi.

Në Bashkinë Laç janë të angazhuar 10 forca dhe mjete të kalueshmërisë së lartë.

Efektivë të Forcave të Armatosura janë të pranishëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë në të gjithë territorin e vendit, ku lind nevoja për operacione kërkim-shpëtimi në këtë situatë përmbytjeje nga shirat e shumta.Ndërkohë, janë vendosur në gatishmëri shkolla e Bunavisë, Batalioni i Tretë i Këmbësorisë në Poshnje si dhe Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale në Gjirokastër.