Aktuale

Ministria e Kulturës nuk ka kërkuar leje për ndërtim në stadiumin e Prishtinës

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) nuk ka pranuar kërkesë nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit (MKRS) për dhënie të lejes së ndërtimit për stadiumin e qytetit të Prishtinës.

Në MMPH thonë se MKRS-së i është sqaruar e gjithë procedura për marrje të lejes së ndërtimit. Në një përgjigje për gazetën nga ana e MMPH-së thuhet se “MKRS-ja nuk ka reflektuar në drejtim të përmbushjes së kërkesave ligjore”, shkruan sot Koha Ditore.

Stadiumi i Prishtinës ka muaj që ka nisur të rinovohet, por së fundi zyrtarë të MKRS-së kanë lënë të kuptohet se rinovimi do të zgjasë më shumë sesa është planifikuar për shkak të lejes së re që duhet të nxjerrë nga MMPH-ja.

Në fakt, MKRS-ja kishte marrë leje për rinovim të stadiumit, por pas përfshirjes së rekomandimeve të UEFA-s në planin fillestar, ajo leje nuk vlente më. Duhet një leje tjetër – një për ndërtim, meqë do të preket edhe struktura e stadiumit. Me leje për renovim kjo nuk parashihej.