Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për disa kultura dhe veprimtari bujqësore.
Për Programin për Pagesa Direkte 2018, MBPZHR ka planifikuar një buxhet prej 25 milionë eurove dhe afati për aplikim për këtë program fillon nga sot (15 shkurt) dhe përfundon më 31 mars 2018.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Bujqësisë, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur dhe në serra, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidane të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit.