Muaji tetor është muaj i vetëdijesimit nga sëmundja e kancerit të gjirit, një prej sëmundjeve më të shpeshta të regjistruara në Kosovë te gratë. Por, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka shprehur se ka mungesë të buxhetit për luftimin e kësaj sëmundje.
Ai kohë më parë i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse për trajtimin e sëmundjes së kancerit në Kosovë kërkohen rreth 9 milionë euro në vit, institucioni që ai udhëheq, ka ndarë 5 milionë euro për këtë sëmundje, në mungesë buxheti.
Në anën tjetër, në vitin 2015, mamografi mobil u vu në shërbim të grave, të cilat duan ta bëjnë falas kontrollin e gjirit. Grupi i grave deputete kanë qenë ato që kanë iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës që të kryejnë kontrollet e gjirit.
Koordinatori për mamografin mobil, Ardian Biçaku, ka deklaruar se këtë vit janë kryer 2157 ekzaminime të gjirit në 20 komuna të Kosovës, derisa janë zbuluar 39 raste me kancer në gji.
“Mamografi mobil ofron shërbime kualitative në gjithë Kosovën, duke vetëdijësuar femrat lidhur me kancerin e gjirit, duke iinkurajuar të bëjnë kontrolle, dhe mbledh të dhëna për sëmundjen e kancerit të gjirit në Kosovë. Radiologët e Klinikës së Radiologjisë kryejnë kontrollet në këtë mamograf. Deritash mamografi mobilka vizituar 20 komuna të Kosovës. Nëvitin 2016, janë realizuar 2157 ekzaminime, derisa 4877janë ekzaminuar gjithsej që prej funksionalizimit të këtij mamografi, ku 39 janë zbuluar me kancer të gjirit”, ka thënë Biçaku.
Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanceri i gjirit është patologjia që po shënon rritje. Andaj, në muajin tetor do të ketë aktivitete të ndryshme nga kjo shoqatë nëpër Komuna të Kosovës për ngritje të vetëdijes së grave lidhur me sëmundjen, qoftë përmes ligjëratave, por edhe me aktivitete të tjera.
E, bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të Kosovës.
Ky plan, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka për qëllim zvogëlimin e incidencës së kancerit, ku objektiv kryesor ka parandalimin, zbulimin e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur.