Aktuale

Ministri i Shëndetësisë deklarohet për vdekjet e dyshimta në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka reaguar lidhur me “vdekjet e dyshimta” në QKUK.

Ai përmes një deklarate për media ka treguar për veprimet konkrete të ndërmarrë nga ana e tij lidhur mbi vdekjet në QKUK.

Ismaili ka thënë poashtu se kjo është dita e dytë e tij e punës dhe se do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe intensiv, por që sipas tij me përkushtim dhe vullnet politik do të adresohen sfidat kryesore të shëndetësisë, njofton Klan Kosova.

Ai ka premtuar se do të investohet në shërbime më të mira, kushte shumë më të mira, menaxhim më të mirë, e po ashtu, duke luftuar pakushte çdo dukuri që e lë mbrapa këtë resor; korrupsionin, keq-menaxhimin, shërbimet jo-adekuate dhe çfarëdo pengese tjetër.

Më poshtë njoftimi i tij:

Të gjitha inspektoratet e Ministrisë Shëndetësisë janë urdhëruar të shkojnë në QKUK për të filluar hetimet e pavarura dhe të detajuara;
Në mënyrë që ky rast të trajtohet me vëmendjen dhe seriozitetin më të madh, kam kërkuar që ekipet e inspektorëve të udhëhiqen nga zyrtarët e lartë të këtyre institucioneve si p.sh Kryeinspektorja e Inspektoratit te Shëndetësisë, U.D Kryeinspektorit Farmaceutik, Drejtori i Laboratorit për Kontroll të Cilësisë;
Kemi kërkuar raportim të rregullt nga SHSKUK-ja, për hetimet në sfera të tjera
Ekipet kanë izoluar të gjitha pajisjet dhe janë blombuar të gjitha mostrat;
Rekomandimet e ekipeve të MSh-së janë që për disa çështje të bëjmë edhe analiza jashtë vendit, dhe unë kam autorizuar zyrtarët e Ministrisë për të filluar menjëherë këtë;
Kam kërkuar nga të gjitha palët, që procesi të jetë transparent për publikun për çdo veprim të ndërmarrë. Po ashtu, ekipet e MSh, janë duke monitoruar edhe punën e ekipeve të QKUK-së.
Duke ditur ndjeshmërinë e rastit, kam ngritur çështjet në nivelin më të lartë, dhe pa dashur të paragjykoj ndonjë rezultat apo vendim, dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët se çfarëdo prove e keq-menaxhimit, neglizhencës ose ndonjë faktori tjetër, do ta ketë përgjigjen e menjëhershme institucionale.

Shërbimet e sigurta mjekësore dhe trajtimi i dinjitetshëm, janë e drejtë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe çfarëdo tentimi për të dëmtuar shërbimet për përfitime, apo për të neglizhuar situatat, do të ndëshkohet. Unë jam i vetëdijshëm për sfidat që ka ky resor dhe pikërisht për këtë, me ekipin tim, do të jemi të pa-kompromis ndaj të gjithë atyre faktorëve që kanë ndikuar apo ndikojnë që gjendja në shëndetësi të mos jetë ajo që qytetarët e dëshirojnë.

Në asnjë rrethanë nuk do të tolerojmë më neglizhencën apo çfarëdo veprimi tjetër, që e ndalë progresin në shëndetësi.