Ministri Edmond Panariti gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me Administratorin i Shërbimeve të Jashtme në Departamentin e Bujqësisë në Washington DC, Phil Karsting.
Në fjalën e tij ministri njohu palën amerikane me strategjitë e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e sektorit bujqësor, duke vënë theksin tek ndërtimi i kapaciteteve të cilat u ofrojnë vlerat e shtuara prodhimeve bujqësore si serat, magazinat frigorifike, pikat grumbulluese dhe linjat përpunuese. Panariti informoi përfaqësuesin amerikan se, falë kësaj qasje të re, vëllimi i prodhimeve bujqësore, kryesisht fruta dhe perime, ka pasur rritje domethënëse dhe shifra e eksporteve është në rritje me 30%, krahasuar me një vit më parë.
Ministri i Bujqësisë, u kërkoi partnerëve amerikanë mbështetje dhe asistencë në ngritjen e kapaciteteve monitoruese të mbetjeve në frutat dhe perimet shqiptare. Rritjen e eksporteve të bimëve mjekësore dhe aromatike dhe mundësinë e garantimit të transparencës së çmimeve, për prodhimet bujqësore, nëpërmjet ngritjes së një burse e cila do të përcaktojë çmimin e shitblerjes të çdo produkti bujqësor dhe blegtoral.
Zyrtari amerikan Phil Karsting, falenderoi ministrin Panariti për prezantimin e tij duke nënvizuar se, bujqësia shqiptare është në rrugën e duhur dhe e siguroi për mbështetjen amerikane në konkretizimin e projekteve për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve dhe eksperiencës amerikane. Phil Karsting kërkoi respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore të miratuara në rang botëror, si kusht për të zgjeruar hartën e eksporteve shqiptare drejt tregjeve amerikane dhe më gjerë. Aktualisht, falë projektit amerikan “Cochran” janë rreth 20 fermerë, të cilët vijnë çdo vit në Shtetet e Bashkuara për të përmirësuar eksperiencën e tyre duke parë nga afër modelin që ofron bujqësia amerikane.