Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar nga Madagaskari drejt Brukselit ku do të marrë pjesë në takimin e parë të Këshillit për Stabilizim-Asociim në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, takim ky i udhëhequr nga Komisioneri për Zgjerim Hahn dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Ndërsa delegacionin e Kosovës e udhëheq Kryeministri Mustafa.
Takimi është i nivelit të lartë dhe i pari i këtij lloji pas hyrjes në fuqi të MSA-së në prill ndërsa të dyja palët do të raportojnë për të arriturat dhe diskutojnë një sërë çështjesh.
Po ashtu, në ditën e njëjtë do të nëshkruhet marrëveshja për qasjen e Kosovës në fondet e BE-së.
Siç mëson Express, marrëveshja do të nënshkruhet nga Përfaqësuesja e Lartë për politikë të Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ende nuk dihet në cilat fonde Kosova do të ketë qasje por konsiderohet një nga instrumentet kryesore që Kosova do të përfitoj në shumë fusha.