Aktuale

Ministri gjerman: Duhet ta mbajmë premtimin, Kosova i plotësoi kriteret për viza

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë se do të angazhohet që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në vendet e Evropës.

Pas takimit që pati në Berlin me ministrin Pacolli, ministri Maas theksoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e saj ndaj dhe do të punojë që të realizohet ky qëllim për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Është një temë që sot e kemi diskutuar me Behgjet Pacollin. Për çështjen e lëvizjes pa viza, ka disa kushte që duhen plotësuar në mënyrë të veçantë është bërë fjalë për 95 kritere që janë plotësuar të gjitha nga Kosova”, tha Maas pa takimit me Pacollin.

Ai shtoi se do të angazhohen për të realizuar këtë qëllim të qytetarëve kosovarë.

“Ne duhet të mbajmë premtimet tona, shikojmë që proceset reformative brenda Kosovës janë duke u zhvilluar në mënyrë konsekuente. Ndaj dhe brenda Qeverisë Federale si dhe rrethit të anëtarëve të Bashkimit Evropian unë do të angazhohem që do të realizohet edhe ky qëllim”, theksoi ai. /FaktePlus