Kritikat ndaj Angela Merkel nga ana e Donald Trump-it nuk mund të pranohen nga europianët, kështu u shpeh ministri francez i Financave, ditën e martë. Michel Sapin deklaroi se kritikat ndaj Europës nga presidenti i zgjedhur, shërbejnë vetëm për të përforcuar solidaritetin europian
“Sa më shumë deklarata të tilla të bëjë Trump, aq më shumë afrohen europianët me njëri-tjetrin”, tha Sapin për gazetarët.
Në një intervistë për “The Sunday Times”, Trump tha se Merkel ka bërë një “gabim katastrofik” me politikën e saj për hapjen e kufijve për refugjatët.
Trump sugjeroi gjithashtu se sulmi në tregun e Krishtlindjes në Berlin nga një tunizian, ishte një prej efekteve të politikave të Merkel. Ai i përshkruajti refugjatët sirianë me fjalët: “Të gjithë këto ilegalë”.
Sapin tha se kritika të tilla nga presidenti i zgjedhur janë të papranueshme.
“Sulmi ndaj kancelares nuk është një argument, të cilin mund ta pranojmë as si francezë e as si europianë”, u shpreh ai.
Edhe Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, tha se ishte e pavend nga ana e Trump që të ndërhynte në politikat e një vendi tjetër duke sulmuar Merkel.
Kancelarja gjermane pritet të vendosë datën për një takim këtë pranverë me Trump, i cili do të betohet si president i SHBA të premten. /tvklan.al