Me ftesë të homologut të tij turk Mevlut Çavusoglu, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara.
Në takimin mes dy ministrave të jashtëm u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe nivelet.
Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në Turqi, ministri Bushati dënoi me forcë tentativën e 15 korrikut për grusht shteti, duke përshëndetur vendosmërinë e popullit turk dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë për rikthimin e shpejtë të rendit kushtetues në vend nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike.
“Jemi të bindur se një Turqi demokratike, e qëndrueshme dhe e zhvilluar nuk është vetëm në interes të popullit të saj, por edhe një faktor kyç për prosperitetin dhe arkitekturën e sigurisë evropiane”, u shpreh Ministri Bushati.
Dy ministrat vlerësuan bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe të gjitha projektet e përbashkëta, ku ushtria shqiptare është krahas ushtrisë turke. Ata nënvizuan se të dyja vendet ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështje rajonale, sikundër është njohja e mëtejshme dhe përfshirja e Kosovës në të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, transmeton KsovaPress.
Po ashtu ministri Bushati pati takim edhe me zyrtarët tjerë të lartë të shtetit turk dhe me diasporën shqiptare në Ankara./KsovaPress/